Serbia lavdërohet me armët e reja që i ka blerë nga Rusia

Beograd, 3 janar 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq njoftoi për një dërgesë të re të armëve nga Rusia me gjithë frikën se investimi i madh i shtetit në ushtri mund të shkaktojë tensione të reja në rajon.

Vuçiq mori pjesë në një trajnim të ushtrisë në një bazë ushtarake afër Beogradit, në të cilin u përfshinë raketa anti-tanke “Kornet” që Serbia i ka blerë së fundmi.

“Jam i gëzuar që ushtarët tanë janë të kënaqur për blerjet e ‘Kornetëve’ nga Rusia. Është ndoshta një ndër armët më të mira anti-tank në botë”, tha Vuçiq.

 “Kornetët janë një mjet i rëndësishëm mbrojtës për të larguar ndonjë agresion të mundshëm ndaj shtetit”, tha ai.

Kohët e fundit, Serbia është akuzuar se po punon me Rusinë për të destabilizuar fqinjët: Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën.

Serbia është armatosur së voni me aeroplanë ushtarakë, dronë dhe sisteme anti-raketore, kryesisht rusë dhe kinezë. Muajt e fundit, Rusia ia ka dhënë Serbisë 30 tanke luftarake dhe 30 transportues të blinduar. Serbia ka blerë nga Rusia edhe sistemin e sofistikuar të mbrojtjes kundërajrore, ndërsa nga Kina ka blerë helikopterë transportues dhe dronë.

Vuçiq tha të hënën se Serbia “mbetet në rrugën e saj evropiane”, por shtoi se “do të vazhdojë të kultivojë lidhjet miqësore” me Rusinë dhe Kinën.

Për t’u bashkuar me BE-në, Serbia ka nevojë për mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, por qeveria ka mbajtur marrëdhënie të ftohta me Kroacinë, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian.

Kroacia, e cila është edhe anëtare e NATO-s, është në një mini garë armatimi me Serbinë.

Serbia ka marrë sëfundi gjashtë avionë luftarakë MiG-29 të përdorur nga Rusia dhe katër të tjerë të këtij lloji nga Bjellorusia. Në muajin nëntor, Qeveria e Kroacisë njoftoi për blerjen e 12 avionëve luftarakë “Rafale” nga Franca.

(r.m.)

Comment

*