Serbia mbetet e pandëshkuar për 400 masakrat e kryera në Kosovë

Është e habitshme se ka edhe juristë, si Dr. Enver Hasani, që mendojnë se Kosova nuk ka të drejtë ta padisë Serbinë për gjenocidin e kryer në Kosovë, me motivacion se Kosova nuk është anëtare e Konventës për Gjenocid dhe se gjenocidi i Serbisë në Kosovë ka mbetur në tentativë”. Arsyetime të tilla banale e aspak të argumentuara kanë kontribuuar në amortizimin e tehut të kritikës kundër të gjithë faktorëve vendorë që kanë qenë kaq pasivë në ngritjen e aktakuzave ndaj Serbisë për krime lufte.

Mehmet PRISHTINA

Këtyre ditëve anekënd Kosovës u bënë vizita nëpër vendet e ndryshme ku para 22 dhe 23 vjetësh janë kryer masakra dhe krime makabre nga forcat serbe. Makineria vrastare e SerbIsë ka kryer krime macabre ndaj popullatës shqiptare, në shenjë hakmarrjeje ndaj rezistencës së UÇK-së dhe ndaj bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore serbe, në muajt mars e prill të vitit  1999.

PSE KOSOVA NUK PASKA TË DREJTË TA PADISË SERBINË PËR GJENOCID?!

Por, edhe pas 22 viteve të përfundimit të luftës në Kosovë, kanë ngelur hapur shumë pyetje që kërkojnë përgjigje nga ekspertët e krimeve të luftës, por mbi të gjitha nga politikanët se si ndodhi që Serbia deri më tani nuk ka dalur në bankën e të akuzuarve për masakrat që kanë krye forcat e saj pushtuese në periudhën e viteve 1998/99.

Shoqëria civile, bota akademike, mediat kanë qenë tepër pasivë në procesimin e  krimeve serbe në Kosovë.

Serbia gjithashtu   ka qenë edhe  nxitëse  e dy luftërave  ballkanike, në vitet 1912 dhe 1913, në të cilat  kanë humbur jetën  mbi 500.000  shqiptarë  të pafajshëm.

Dhe ajo që habit më së shumti është fakti se ka juristë, si Dr. Enver Hasani, që mendojnë se Kosova nuk ka të drejtë ta padisë Serbinë për gjenocidin e kryer në Kosovë, me motivacion  se Kosova nuk është anëtare e Konventës për Gjenocid dhe se gjenocidi i Serbisë në Kosovë ka mbetur “në tentativë”. Arsyetime të tilla banale e aspak të argumentuara kanë kontribuuar në amortizimin e tehut të kritikës kundër të gjithë faktorëve vendorë që kanë qenë kaq pasivë në ngritjen e aktakuzave ndaj Serbisë për krime lufte. Këtu, sigurisht, aludohet në pastrimin etnik, i cili ndodhi në Kosovë (1999), por me që shqiptarët janë kthyer në vatrat e tyre, ky projekt serb u dashka të konsiderohet i dështuar. 

Arsyetime të tilla banale e aspak argumentuese kanë kontribuuar në amortizimin e tehut të kritikës të të gjithë atyre faktorëve vendorë të cilët kanë qenë kaq pasiv në ngritjen e aktakuzave ndaj Serbisë për krime lufte.

Serbinë ka mundur ta padisë për krime lufte çdo qytetar i Kosovës, madje edhe Enver Hasani, i cili mund të jetë personi më kompetent për të proceduar një dosje komplete me prova materiale që do të argumentonin krimet e kryera serbe në Kosovë.

MBI 10 MIJË SHQIPTARË U VRANË NË LUFTËN E FUNDIT

Sipas Fondi për të Drejtën Humanitare, rreth 13.500 njerëz u vranë gjatë luftës së fundit në Kosovë (1999). Në totalin e të vrarëve, shqiptarët e Kosovës përbëjnë numrin më të madh të viktimave, me 10.812.

Gjatë periudhës së luftës së Kosovës, mbi 800 mijë shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe të sigurisë. Këto të dhëna gjenden në një raport të organizatës së OKB-së për refugjatët, (UNHCR), e cila njofton se 862,979 refugjatë u larguan nga Kosova nga 23 marsi deri më 9 qershor 1999.

Prej përfundimit të luftës e deri më sot, në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Komisionin Qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur, sipas kërkesave të familjarëve, janë evidentuar 6.057 raste të personave të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë. Fati i shumicës prej tyre tashmë është zbardhur, por për 1.647 persona ende nuk dihet asgjë.

Në Kosovë e në Serbi pas përfundimit të luftës u zbuluan një sërë varrezash masive. Në dokumentet e Tribunalit të Hagës, në aktakuzat e prezantuara për shumë të akuzuar për krime lufte nga pala serbe, prej marsit të vitit 2000 janë identifikuar 529 varreza masive, shumica dërmuese e tyre në Kosovë. Në këto varreza janë gjetur trupat e pajetë të 4.300 personave të vrarë.

Numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës llogaritet të jetë rreth 20 mijë vetë. Këtë e pohoi në një fjalim para kongresit amerikan bvite më parë, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila pat thënë, se “deri tani askush nuk është dënuar për këto krime ani pse tashmë ka raste që kanë dalë të flasin publikisht për këto dhunime”. Por, deri tani me emër e mbiemër janë identifikuar rreth 1200 viktima.

KRONOGJIA E MASAKRAVE – 1998/99

Serbia në Kosovë gjatë viteve 1998/99 kishte kryer rreth rreth 400 masakra mbi popullsinë civile të Kosovës. Më poshtë po japim kronologjinë e këtyre masakrave (sipas të dhënave të prof. Bedri Halimit), të cilat edhe sot e gjithë ditën kanë ngelur të pandëshkuara.

Në masakrën e Likoshanit dhe Qirezit, më 28 shkurt dhe 1 mars 1998 janë vrarë e masakruar 24 banorë të këtyre fshatrave, nga të cilat 10 ishin të familjes Ahmeti;

Në masakrën e Prekazit në Skenderaj më 5 – 7 mars 1998 u vranë 59 shqiptarë nga të cilët 55 janë nga lagjja e Jasharajve;

Në Kleqkë, me 27 gusht 1998 pasi u dogj tërë fshati në drejtim të Qafës së Dulës forcat serbe i vranë 8 shqiptarë dhe plagosen mbi 30, nga të cilët shumica ishin fëmijë, gra e pleq.

Në fshatin Sushicë e Poshtme të Istogut, më 29 gusht 1998, u vranë 8 anëtarë të familjës Salihaj.

Në fshatrat e Shalës së Bajgorës më 15 – 17 shtator 1998 u vranë mbi 12 shqiptarë, dëbuan të gjithë banorët e fshatrave të Shalës, dogjën gati në tërësi 12 fshatra pasi i kishin plaçkitur.

Në fshatrat e Qyqavicës më 22 – 24 shtator 1998 u vranë 24 shqiptarë, 6 nga të cilët janë mbytur me çekan.

Në Gullbocë të Malishevës më 26 shtator 1998 janë vrarë 14 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjera pas maltretimeve paraprake që u kishin bërë. Arrin të shpëton rastësisht vetëm një person.

Në Abri të Epërme të Drenasit më 26 shtator 1998 u vranë e masakruan 22 antarë të familjes Deliu, që nga fëmija 6 muajshe e deri te plaka 84 vjeçare.

Në fshatin Rancë të Shtimës më 26 gusht 1998 u masakruan 8 fëmijë e 3 gra të familjes së Selim Asllanit dhe 3 të tjerë plagosen.

Në Reçak të Shtimës më 15 janar 1999 u vranë e masakruan 43 banorë të këtij fshati.

Në afërsi të urës së Rakovinës në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjakovë më 24 janar 1999 forcat serbe e vranë një person së bashku me dy fëmijët 11 dhe 12 vjeçar si dhe dy mysafir nga Cërmjani që ishin me traktor në fshatin e tyre.

Në fshatin Rogovë të Gjakovës më 29 janar 1999 u masakruan 26 shqiptarë, 9 nga të cilët ishin nga Rogova, ndërsa të tjerët pjesëtarë të UÇK – së.

Në Leshan të Suharekës më 2 mars 1999 u vranë dhe u masakruan 29 shqiptarë.

Në Reznik të Vushtrisë më 6 mars 1999 u vranë 9 anëtarë të familjes Ujkani, kufomat e të cilëve pastaj u dogjën.

Në Mitrovicë më 13 mars 1999 ditën e tregut u vranë 6 persona pas hedhjes së tri mjeteve shpërthyese nga forcat serbe.

Në Polac të Skenderajt u vranë gjithsej 85 persona, prej tyre 5 konsiderohen të zhdukur. Në mesin e tyre është edhe im atë Feriz Aliuka, xhaxhai im Idriz Aliuka si dhe kushërinjtë Enver dhe Abdyl Aliuka, të cilët u vranë në luftë më 5 prill 1999 kundër serbëve

Në Skenderaj më 20 mars 1999 u vranë 29 shqiptarë të moshës nga 15 – 70 vjeç, 8 nga të cilët u ekzekutuan në vendin e quajtur “Te pishat”, ndërsa të tjerët u vranë nëpër shtëpitë e oborret e tyre para familjarëve.

Në Tërrnavë të Podujevës më 20 mars 1999 granatohet fshati, pastaj ushtria serbe hedh një bombë në një traktor të ngarkuar më njerëz duke ikur, me ç’rast vret dy fëmijë të moshës 6 dhe 7 vjeçare kurse 4 të tjerë lëndohen rëndë. Pastaj me një bombë tjetër vrasin edhe 2 persona dhe 7 të tjerë i plagosin rëndë.

Në Katundin e Ri të Pejës më 11 e 12 mars si dhe më 4 – 6 qershor 1999 janë vrarë 15 shqiptarë.

Në Kotlinë të Kaqanikut më 24 mars 1999 janë ekzekutuar dhe masakruar 26 persona të cilët janë hedhur në dy puse duke ua vënë eksplozivin.

Në Keqekollë të Prishtinës më 24 mars 1999 u vranë 5 antarë të familjës Jakupi nga Orllani i Podujevës.

Në Podujevë më 24 e 25 mars 1999 janë vrarë një numër 36 persona.

Në Celinë të Rahovecit më 25 mars 1999 u vranë e u masakruan 82 persona të moshave të ndryshme, nga të cilët 75 ishin nga Celina kurse të tjerët nga fshatrat për rreth.

Në Bellacërrkë të Rahovecit me 25 mars 1999 janë vrarë 46 shqiptarë, nga të cilët edhe gra e fëmijë të moshës 3 – 9 vjeçare nga të cilët 15 kanë qenë më të rinj se 18 vjeç. Ky fshat ishte sulmuar edhe më 18 korrik 1998, ku janë vrarë 12 banorë të këtij fshati.

Në Goden më 25 mars 1999 janë vrarë 28 shqiptarë nga mosha 18 deri 45 vjeçar, kufomat e të cilëve pastaj u dogjën.

Në Randobravë të Prizrenit më 25 mars 1999 janë vrarë 8 anëtarë të familjes Pajaziti në mesin e të cilëve një nënë me 4 fëmijët e saj të moshës 2 deri 7 vjeç.

Në Krushë të Vogël të Rahovecit më 25 mars 1999 si dhe më 26 mars ku forcave serbe iu bashkangjiten edhe serbët e fshatit, me ç’rast vrasin dhe masakrojnë 113 banorë të këtij fshati dhe fshatrave të tjera të kësaj ane.

Në Krushë të Madhe të Rahovecit më 25 – 27 mars të vitit 1999 janë vrarë dhe masakruar 241 shqiptarë nga të cilët 206 banorë të këtij fshati ndërsa 35 persona ishin nga fshatrat e tjera të cilët janë strehuar në këtë fshat. Deri më tani janë gjetur dhe identifikuar 132 të vrarë të këtij fshati ndërsa konsiderohen si të pa gjetur edhe mbi 70 banorë. Më shumë se 7 familjeve u janë vrarë e masakruar të gjithë meshkujt.

Në Tërnje të Suharekës më 25 mars 1999 janë vrarë dhe masakruar 28 banorë të familjes Gashi, Voci, Muhagjiri, Llapatinca etj. Shumë prej tyre ende nuk u janë gjetur kufomat.

Në Suharekë me 26 mars 1999 janë vrarë e masakruar 48 shqiptarë të familjes Berisha, kufomat e të cilëve pastaj janë bartur në Serbi.

Në Padalishtë dhe Cerkolezë të Istogut më 26 mars 1999 janë vrarë e masakruar 19 shqiptarë në lagjen Imeraj të Padalishtës nga mosha 2 – 76 vjeçe.

Në Landovicë të Prizrenit më 26 mars 1999 janë vrarë 23 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjerë.

Në Mamushë me 27 mars 1999 janë vrarë e masakruar 18 shqiptarë, nga të cilët 7 ishin nga Mamusha.

Në Dardhishtë (Kryshecë) të Obiliqit më 27 mars 1999 u masakruan 11 anëtarë të familjes Rama.

Në Gjakovë më 27 mars 1999 vriten dhe masakrohen 6 anëtarë të familjes Çerkezi ku shpëton vetëm nëna, kufomat e të cilëve ende janë të pagjetur.

Në Izbicë të Skenderajt më 28 mars 1999, pikërisht në ditën e festës së Bajramit forcat serbe pasi i keqtrajtojnë fizikisht i ndajnë burrat nga gratë dhe pastaj i ekzekutojnë 114 prej tyre.

Në Matiqan të Prishtinës më 28 mars 1999 pra në ditën e Bajramit forcat serbe vranë 21 shqiptarë në mesin e të cilëve edhe fëmijë.

Në Podujevë me 28 mars 1999 janë vrarë 19 anëtarë të familjeve Duriqi, Bogujevci, Llugaliu dhe Gashi.

Në Beleg të Deqanit më 28 mars 1999 janë vrarë dhe janë zhdukur 66 banorë të këtij fshati dhe fshatrave të tjera si Drenoc, Gllogjan, Irzniq etj.

Në Dumnicën e Epërme të Vushtrrisë më 29 mars dhe 11 prill 1999 janë vrarë 6 banorë në mesin e tyre edhe 3 fëmijë.

Në Mitrovicë, në lagjen “Bair” më 29 mars 1999 janë vrarë 4 pleq, dy femra e dy meshkuj të palëvizshëm).

Në Llashticë të Gjilanit më 30 mars 1999 janë vrarë 13 shqiptarë mes tyre edhe një 3 vjeçar i cili është djegur në prehër të nënës.

Në Burim (Joviq) të Malishevës, më 31 mars 1999 janë vrarë 34 shqiptarë, kufomat e të cilëve janë masakruar. Viktimat ishin nga mosha 16 – 72 vjeç.

Në Pastaselë të Rahovecit më 31 mars 1999 u ekzekutuan dhe masakruan 106 shqipëarë nga ky fshat dhe fshatrat e tjera që kishin ardhur për strehim. Kufomat e këtyre viktimave janë dërguar në drejtim të panjohur.

Në Lybeniq të Pejës më 1 prill 1999 janë vrarë 60 banorë civiël.

Në Cercë të Istogut më 1 prill 1999 janë vrarë e masakruar si dhe pastaj janë djegur kufomat e 6 anëtarëve të familjes Rexha.

Në Gjakovë më 2 prill 1999 vritet nëna e familjes Vejsa së bashku me 5 fëmijët e saj.

Në Ragavcë të Rahovecit ku ishin strehuar më së 20. 000 refugjatë më 28 mars 1999, ditën e Bajramit, pas plaçkitjes disa banorë janë ekzekutuar, kurse më 2 prill 1999 pas bombardimeve me aeroplanë u vranë 31 banorë civilë nga Brestoci, Nagaci, Krusha e Madhe etj.

Në Pjetërq të Epërm të Klinës me 29 mars 1999 janë ekzektuar 11 civilë shqiptarë.

Në Sopi të Suharekës më 2 prill 1999 janë vrarë e masakruar 35 civilë shqiptarë.

Në Kralan, me 2 – 4 prill 1999 janë vrarë e masakruar mbi 87 civiël shqiptarë, ku pjesa dërmuese ishin nga komuna e Klinës, Malishevës dhe Gjakovës. Shumë nga këto kufoma pastaj janë djegur.

Në Gjakovë më 2 prill 1999 janë bërë vrasje të shumta në lagjen “Te stacioni i autobusëve”, në Qabrat më 7 – 11 maj 1999 janë vrarë mbi 80 civilë shqiptarë. Ku në këtë komunë vrasjet kanë vazhduar edhe ditëve të tjera e sidomos me 15, 16, 22 maj 1999.

Në lagjen Dragodan të Prishtinës më 3 prill 1999 janë vrarë 7 civilë shqiptarë.

Në Qupevë të Epërme të Klinës më 4 prill 1999 janë vrarë 45 civilë shqiptarë nga të cilët 6 ishin nga Qupeva e Epërme, 2 nga Gllareva, 7 nga Përqeva, 2 nga Qupeva e Poshtme, 17 nga Svërrka dhe 11 nga Gremniku.

Në Popovë të Podujevës më 4 prill 1999 përmes aviacionit serb vriten dhe plagosen një numër i refugjatëve në mesin e të cilëve edhe shumë fëmijë.

Në Rezallë të Skenderajt më 5 prill 1999 janë ekzekutuar 41 civilë nga mosha 13 – 90 vjeç. Ekzekutimit i kanë shpëtuar vetëm 3 prej tyre. Pra janë masakruar 38 persona nga të cilët 29 ishin nga Rezalla, 7 nga Marina, 1 nga Llazica dhe 1 nga Prekazi.

Në Llapqevë të Malishëvës më 5 prill 1999 janë vrarë 8 civilë shqiptarë.

Në Kokaj të Gjilanit më 5 prill 1999 janë ekzekutuar 6 civilë shqiptarë.

Në fshatrat e Deçanit dhe të Pejës më 6 prill 1999 është bërë masakër dhe djegia e 7 kufomave në shtëpinë e Rrustem Tahirit në fshatin Bardhaniq të Dushkajës së Gjakovës.

Në Abri të Poshtme më 7 prill 1999 janë vrarë 10 civilë shqiptarë nga Qabiqi.

Në Kaqanik në vendin “Prroi i Rakocit” dhe “Lagjja e Re” më 9 prill 1999 u vranë dhe masakruan 58 shqiptarë.

Në Bresalcë të Gjilanit më 10 prill 1999 janë vrarë 5 banorë shqiptarë.

Mbi fshatin Lugishtë të Hasit te vendi i quajtur “Del Ujë” më 12 prill 1999 janë masakruar 16 banorë nga Hasi prej të cilëve 13 nga Lugishta dhe 3 nga Demjani. Që të gjithë këta më parë janë ndarë nga gratë dhe fëmijët dhe janë vrarë e masakruar nga afërsia.

Në Fshatin e Vjetër të Ferizajt më 13 prill 1999 janë ekzekutuar 7 anëtarë të familjes Zeka dhe 2 anëtarë të familjes Hoxha.

Në Mitrovicë më 14 prill 1999 në Lagjen “Qendra” forcat serbe i kanë, mbledhur 100 meshkuj të rinj ku 26 prej tyre i fusin në tri shtëpi të lagjes “Bair” dhe i pushkatojnë, të tjerët i dërgojnë në vende të ndryshme ku gjithashtu i vrasin. Kufomat e tyre zbulohen në disa varreza masive.

Në Sllovij të Lipjanit, më 15 dhe 16 prill 1999 në këtë fshat dhe në vendin “Lugu i Demës” u vranë e u masakruan 41 civilë shqiptarë.

Në Skenderaj më 16 prill 1999 janë ekzekutuar 13 civilë shqiptarë.

Në Mitrovicë, në kolonën prej 80. 000 njerëzve që kishte gjatësinë 10 km te vendi i quajtur “Ura e gjakut”, nga kolona i nxjerrin 9 të rinj të cilëve pasi ua lidhin duart me tela rreth një pusi i fusin në një oborr të një shtëpie, ku i pushkatojnë 8 prej tyre, ndërsa njëri arrin të ik, por më vonë edhe atë e zënë dhe e pushkatojnë.

Në Qikatovë të Vjetër të Drenasit me 17 prill 1999 janë vrarë e masakruar 128 banorë të këtij fshati dhe të fshatrave të tjerë.

Në Paklekë të Vjetër të Drenasit më 17 prill 1999 u vranë 41 shqiptarë nga të cilët 23 ishin fëmijë 12 vajza, 14 gra, 2 burra dhe 2 djem.

Në Hade të Obiliqit me 17 e 18 prill 1999 vriten 5 meshkujt e një familje, pastaj vrasin një person që kishte dal me një faculetë të bardh të ngritur, pastaj marrin 4 persona të tjerë dhe i vrasin, 2 prej të cilëve i djegin të gjallë në një stallë.

Në Devë të Gjakovës më 18 prill 1999 janë vrarë e masakruar 7 vëllezërit Bobi.

Në Ribar të Vogël më 18 prill 1999 u vranë dhe u masakruan 25 civilë prej të cilëve 19 ishin nga ky fshat ndërsa 6 nga fshati i afërt Vërsheci, të cilët kishin ardhur për t’u strehuar.

Në Bërrnicë të Epërme të Prishtinës më 18 prill 1999 janë vrarë 6 anëtarë të familjes Reka dhe një i familjes Berisha.

Në hapësirën e fshatit Koliq më 18 dhe 19 prill 1999 janë vrarë 74 persona nga fshatrat e ndryshme, kryesisht nga treva e Llapit.

Në Hallaq të Vogël të komunës së Lipjanit më 20 prill 1999 janë vrarë e masakruar 20 banorë civilë të këtij fshati, prej të cilëve 3 ishin nga vende të tjera.

Në Makoc të Prishtinës më 20 prill 1999, u vranë 42 civilë.

Në Grashticë të Prishtinës me 21 prill 1999, nga kolona e gjatë e të zhvendosurve nga fshatrat e Gallapit që shkonin nga Mareci për në Prishtinë, janë nxjerrë 60 civilë meshkuj të cilët janë vrarë pas koke dhe janë hedhur në lum.

Në Nakaradë të Fushë Kosovës më 21 prill 1999 janë vrarë 16 anëtarë të familjes Mirena.

Në Dragaqinë të Suharekës më 21 prill 1999 janë hedhur në pus 11 banorë, kryesisht pleq të këtij fshati.

Në Sopijë të Suharekës më 21 prill 1999 janë vrarë 7 antarë të familjes Ilazi dhe një i familjes Sopa.

Në fshatin Koliq në një kolonë të të zhvendosurve më 22 prill 1999 janë vrarë 21 persona.

Në Meje të Gjakovës, më 27 prill 1999, pasi forcat serbe ndaluan kolonën prej 500 civilësh shqiptarë që kishin ardhur nga fshatrat e Rekës së Keqe të Gjakovës dhe disa fshatra të komunës së Deçanit, shumicën prej tyre i vranë e i masakruan dhe pastaj kufomat e tyre i dërguan në vende të panjohura. Disa nga këto kufoma janë zbuluar në varrezat masive në Serbi. Në mesin e tyre kishte gra, fëmijë e pleq të moshës 16 – 60 vjeçare. Numri i saktë i viktimave mbetet ende i panjohur sepse edhe ata që nuk janë pushkatuar në atë moment janë kidnapuar dhe janë drejtuar në drejtime të panjohura.

Në Guskë të Gjakovës më 27 prill 1999 janë vrarë 25 shqiptarë.

Në Dobrosh të Gjakovës më 27 prill 1999 janë vrarë 38 shqiptarë.

Në Korenicë të Gjakovës më 27 prill 1999 janë vrarë 65 shqiptarë.

Në Nabërxhan të Pejës më 1, 2, 10 dhe 12 maj 1999 janë vrarë e masakruar rreth 30 persona civilë.

Në Studime të Vushtrrisë më 2 maj janë vrarë e masakruar 116 shqiptarë, ku kishte fëmijë, gra, burra e pleq.

Në kolonën e popullates së fshatrave Vraniq, Bukosh, Savrovë, Sopijë etj që po depërtoheshin për Shqipëri, më 3 maj 1999 forcat serbe i ndanë 35 persona të moshave më të reja të cilët i vrasin dhe masakrojnë në oborrin e shkollës së Bukoshit.

Në Damanek të Malishëvës më 4 maj 1999, ishin strehuar shumë civilë shqiptarë, , por aty u janë vrarë 6 persona dhe janë plagosur 17 të tjerë. Të vrarët ashtu edhe të plagosurit ka qenë nga fshatrat e ndryshme.

Në Shtupel të Klinës në lagjen e Zhabotëve më 6 maj 1999, janë vrarë 6 civilë dhe janë plagosur 7 të tjerë.

Në Lutogllavë të Prizrenit më 6 maj 1999 forcat serbe granatojnë lagjen e familjeve Kelmendi. Pasi pushon granatimi, 31 antarët e strehuar të familjes së gjerë Kelmendi, kryesisht gra, fëmijë e pleq nisen me 4 traktorë në drejtim të fshatit Tërstenik. Rrugës i ndalin forcat serbe nga të cilët 2 fëmijë i vrasin, njëri 8 dhe tjetra 11 vjeçe si dhe 2 gra. Gjatë vazhdimit të rrugës, gjuhën me granatë dhe vriten 8 persona tjerë. Pastaj janë vrarë edhe 4 gra e 2 burra si dhe një plak 102 vjeçar.

Në Korishë të Prizrenit më 13 maj 1999 në një proces të montuar nga forcat serbe, NATO gjuan përmes Aeroplanëve ku vriten 71 persona, nga të cilët 3 foshnjë, 11 nxënës, 13 fëmijë, 61 të tjerë janë plagosur. Ata ishin kryesisht nga Korisha si dhe nga fshatrat Bllacë, Budakovë, Maqitevë, Mushtishtë, Reshtan etj.

Në Qyshk të Pejës më 14 maj 1999 janë vrarë e masakruar 42 mashkuj civilë.

Në Pavlan dhe Zahaq më 14 maj 1999, forcat serbe pasi i kishin dëbuar fëmijët, gratë dhe pleqtë kishin vrarë e masakruar 35 shqiptarë.

Në Carallukë të Malishevës më 17 maj 1999, u vranë 23 shqiptarë që të gjithë anëtarë të dy familjeve Krasniqi nga mosha 5 – 65 vjeq.

Në Stagovë të Kaçanikut më 21 maj 1999 u vranë 14 banorë, shumicën e kufomave e dogjën.

Në burgun e Dubravës më 21 dhe 22 maj 1999, forcat serbe në oborrin e burgut vranë 97 të burgosur dhe shumë të tjerë janë plagosur.

Në Vushtrri më 22 maj 1999, forcat serbe kidnapuan, dhe i vranë 68 persona kufomat e të cilëve janë zhdukur duke i bartur në Serbi.

Afër Vushtrrisë te vendi “te Habarët e Gumnishtës” më 24 maj 1999 vriten 6 vajza të reja të familjes Gërguri nga Studimja e Epërme dhe 2 vajza Krasniqi nga Zhilivoda.

Në Prizren, në lagjen Tusus më 26 maj 1999 u vranë 27 persona civilë, kufomat e të cilëve pastaj janë ngarkuar në kamion dhe janë dërguar në vende të panjohura. Në këtë lagje iu vu zjarri 245 shtëpive.

Në Studime të Vushtrrisë më 31 maj 1999 u vranë dhe masakruan 12 anëtarë të familjes së Selatin Gërxhaliut, shumica e të cilëve ishin fëmijë që nga mosha një vjeçare e më tej.

Në Mitrovicë në lagjen “7 Shtatori” më 8 qershor 1999, forcat serbe pasi arrestojnë 11 të rinj shqiptarë, 3 nga të cilët arrijnë të ikin, kurse për fatin e 9 të tjerëve nuk është ditur deri më 2005, kur u gjetën trupat e pajetë të tyre.

Në Mitrovicë në lagjen e Boshnjakëve më 9 qershor 1999, forcat serbe arrestojnë disa të rinj shqiptarë, ku 6 prej tyre i djegin të gjallë në një shtëpi, nga të cilat 2 ishin femra.

Në Mitrovicë përballë objekteve banesore “3 Rrokaqiejt”, më 12 qershor 1999, pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, forcat serbe morën 15 banorë nga kjo lagje të cilët i urdhëruan të hidhen në lumin Ibër të “Ura e trenit” dhe pastaj filluan të shtiejnë në ta.

Në Pejë, më 12 qershor 1999 në ditën e hyrjes së forcave të NATO – s në Kosovë, forcat serbe vrasin 5 fëmijë të mitur të familjes Isa Balajt.

“PËRGJEGJËSI PENALE PARA DIALOGUT”

Të gjithë ata ekspertë që pretendojnë se Kosova nuk ka të drejtë të padisë Serbinë për gjenocid, megjithatë do të duhej ta dine se ekziston një adresë e cila quhet Gjykata Penale Ndërkombëtare, e cila funksionon aktualisht dhe merret ekskluzivisht me krimet shtetërore kundër civilëve, gjegjësisht me krimet që i bëjnë shtetet e caktuara në territoret e tyre, ose në shtetet tjera. Nga Kosova ka munguar një dosje me prova krimesh serbe nga terreni që do t’i adresohej kësaj gjykate dhe për pasojë Serbia tash  e disa vite sillet si e shfajësuar, madje nuk mungojnë përpjekjet që serbët të paraqiten si viktima të, gjoja, reprezaljeve të Kosovës.

Dosja e munguar me këto krime, nuk mund të jetë justifikim për të vazhduar avazin e njëjtë, prandaj jo rastësisht këtyre ditëve nga kabineti i kryeministrit Kurti kanë dalur zëra inkurajues për ngritjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë. Kjo madje mund të jetë aktuale pikërisht tani kur po insistohet me të madhe që të rifillojë dialogu me Serbinë, ku gjithsesi nga pala kosovare nuk do të duhej të mungojë vullneti politik për dialog, por mbi të gjitha do të duhej të kërkohet nga Serbia marrjen e përgjegjësive penale, materiale, politike e morale për masakrat e kryera në Kosovë gjatë periudhës së viteve 1998/99 dhe për një listë të gjatë dëmesh në prone dhe për dhunën e ushtruar seksuale mbi rreth 20 mijë veta.

Tash e tutje Kosova do të duhej të del me një parullë “Përgjegjësi penale para dialogut”, me të cilën do të bëhej e qartë se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi mund të ndodhë vetëm atëherë kur do të mbyllen deri ndokund plagët e luftës, të cilat ende kullojnë gjak, sa nga mungesa e përgjegjësisë penale të Serbisë, po aq edhe nga neglizhenca ekstreme e faktorëve politikë, institucionalë, intelektualë, akademikë e mediatikë të Kosovës brenda këtyre 20 viteve të fundit.

Prishtinë, 29 mars, 2021

Comment

*