Serbia po ballafaqohet me dhunën që e ka ushqyer vet

Mehmet PRISHTINA

Atmosfera shoqërore në Serbi është elektrizuar tej mase, pas dy vrasjeve masive që ndodhën ditë më parë, ku mbetën të vrarë afro 20 të rinj, e që u pasuan me protesta të shumta të qytetarëve kundër dhunës, sidomos nëpër shkolla. Qytetarët duan të marrin përgjigje për pyetjet: si mund të ndodhte dhuna, çfarë nxiti dhunën, kush është përgjegjës?

Por, megjithatë vala e dhunës në Serbi nuk u ndal pas dy vrasjeve masive. Gjithnjë e më shumë gra vriten nga dhuna në familje, ndërkohë që  Presidenti serb Vuçiq nga ana tjetër fyen opozitën dhe mundohet të marrë kontrollin mbi ngjarjet. Është paralajmëruar një kontraprotestë e pushtetit, si përpjekje për të balancuar situatën e tensionuar, dhe për të relativizuar mllefin qytetar, me çka  Vuçiqi edhe një herë po dëshmohet se është një ndjekës i verbër i budallallëqeve të Millosheviqit, i cili para se të fuqizonte pushtetin e tij në Beograd pat organizuar disa “jogurt mitingje” në vitet tetëdhjetë, në Kosovë dhe gjetiu.

Sot në Serbi (e premte) pritet të mbahet tubimi i tretë me sloganin “Serbia kundër dhunës”, kurse në opinionin publik ende ka mbetur shija e hidhur e fyerjeve të Vuçiqit drejtuar politikanëve të opozitës, duke i quajtur ata ‘hiena’ që “po përpiqen të abuzojnë politikisht me tragjedinë”.

Sipas të dhënave  që i kanë publikuar edhe mediat ndërkombëtare, qytetarët serbë kanë në posedim privat 700 mijë armë zjarri të regjistruara dhe llogaritet se ka edhe dy milionë pushkë dhe pistoleta ilegale.

E gjithë kjo armatosje masive  popullatës serbe, nuk ka ardhur rastësisht. Pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova (1999), shumë armë mbetën në duart e individëve që kishin marrë pjesë në krimet makabre në Kosovë dhe që kishin mbetur të dënuar.  Ata edhe sot janë të lirë, madje mbajnë edhe poste shtetërore dhe bëjnë biznese, kryesisht me mbështetje qeveritare.

Askush nga autoritet shtetërore, por çuditërisht as bashkësia ndërkombëtare, nuk kishin kërkuar çarmatosjen e popullatës civile serbe. Kjo nuk ndodhi sigurisht sepse regjimi serb një kohë të gjatë e ka ushqyer me iluzion popullatën se do të ndodhë edhe një “rikthim triumfal në Kosovë”, prandaj posedimi privat i armëve është konsideruar si pjesë e strategjisë shtetërore për të filluar aventura të reja ushtarake në Kosovë dhe gjetiu. Nëse kësaj ia shtojmë edhe faktin se buxheti shtetëror  vazhdon të jetë i  koncentruar për nevojat e policisë  dhe ushtrisë, në dëm të buxhetit për arsimin dhe kulturën, atëherë nuk është shumë e vështirë të konstatohet se ku e ka burimin gjithë kjo atmosferë militariste në shoqërinë serbe. Shteti që fuqizon aq shumë pozitën e ushtarakut e policit dhe dobëson atë të arsimtarit, mjekut, e ka shumë lehtë të krijojë rrethana në shoqëri ku arma mbetet mjeti i vetëm për t’u krenuar.

Udhëheqja shtetërore serbe dhe mediat që kontrollohen prej tyre, po mundohen ta paraqesin situatën si diçka e imponuar, si alibi e opozitës për të marrë pushtetin me “metoda jodemokratike” ,  e jo si rrjedhojë e raporteve të përkeqësura politike, shoqërore  e sociale në Serbi, ku një ndikim të qenësishëm kishin pasur  politikat shtetërore të dizajnuara, jo  sipas nevojave të qytetarëve, por sipas kërkesave të oligarkëve të politikës, biznesit dhe krimit.

E gjithë kjo gjurulldi serbe, po ndodhë në kohën kur raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë ende nuk janë normalizuar, ndërkohë që Brukseli dhe Washingtoni presin nga Kurti dhe Vuçiqi të mbyllin kapitullin e mosmarrëveshjeve në mes të dy vendeve.

Vëzhgues të zhvillimeve në Serbi kanë thënë se kjo situatë mund t’i konvenoj presidentit serb, i cili do të mundohet ta zvarris çështjen rreth Kosovës, me arsyetim se tani për tani në Serbi ka një temë tjetër që është më emergjente, e që është, sipas tij, stabiliteti i vendit dhe qetësia e qytetarëve.

Por duke e njohur mirë natyrën e këtij politikani, ai edhe kësaj radhe do të mundohet që pikërisht këtë atmosferë të tensionuar shoqërore në Serbi ta kanalizojë për nevojat e politikës së tij kundër Kosovës, duke i ftuar mbështetësit e tij që të jenë sa më masovik në protestën radhës, e cila duhet të jetë përgjigje ndaj gjithë atyre që “po e harrojnë Kosovën dhe po shpikin tema e probleme të paqena në Serbi”.

Megjithatë, Serbia po ballafaqohet me dhunën që e kanë ushqyer institucionet shtetërore për një periudhë të gjatë kohore dhe çdo kush që mundohet ta largojë dhunën nga shoqëria serbe, do ta ketë vështirë, për arsye se kjo shoqëri ende është jodemokratike. Ajo është demokratike për aq sa i lejohet të jetë, por edhe për aq sa politikanët që  mendojnë ta zëvendësojnë Vuçiqin, do të jenë të gatshëm që kauzat e tyre demokratike t’i mbështesin edhe në qëndrimet që do të mbahen ndaj Kosovës.

Nëse një opozitë reagon vetëm kundër vrasjes së të rinjve serbë dhe hesht ndaj vrasjeve e dhunimeve që kanë ndodhur në Kosovë, atëherë ajo opozitë është shumë pak demokratike. Madje segmente të caktuara të kësaj opozite mundohen të bëjnë gara me Vuçiqin në maratonën antiKosovë.

Zërat e vetmuar dhe të arsyeshëm si Nikolla Sanduloviq, Nenad Çanak, Çedomir Jovanoviq etj. ende konsiderohen si “dele të zeza” në shoqërinë serbe, kurse qasja e tyre në sferën publike e mediatike është gati e papërfillshme. Nëse e analizojmë qëndrimin e shoqërisë serbe ndaj këtyre zërave opozitarë, nuk e kemi vështirë të konkludojmë se demokracia e vërtetë serbe ende nuk ka ndodhë dhe ajo patjetër që duhet të kalojë  nëpër varret e Drencës e Dukagjinit, ku duhet të pasojë edhe katarsisi i shpirtit serb, që nënkupton kërkimfaljen për krimet e kryera nga vet serbët, denacifikimi i institucioneve të Serbisë, kthimi i trupave të pagjetur dhe reparacioni i dëmeve të luftës.

Vetëm pas këtij procesi, mund të presim që Serbia do të lirohet  nga demonët e këqij që i ushqeu vet me urrejtje kundër popujve të tjerë.

Prishtinë, 19 maj, 2023