Serbia vazhdon spastrimin etnik të Luginës

Bujanovc, 29 prill 2021 – Në Luginë të Preshevës po vazhdon misioni i shtetit serb për pasivizim të adresave të shqiptarëve e, rrjedhimisht, spastrimin etnik të kësaj pjese me shqiptarë.

Portali “Fol-Online” shkruan se në stacionin policor të Bujanocit kanë arritur qindra kërkesa nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë për verifikim të adresave në fshatin më të madh shqiptar të Bujanocit, Tërnoc.

“Vetëm për Tërnocin ekzistojnë rreth 100 kërkesa të tilla”, kanë thënë burime të “Fol-online” nga MPB-ja e Serbisë.

Kërkesat kanë filluar t’u shpërndahen zyrtarëve policorë nëpër vendbanime.

“Detyrë e policëve është të shkojnë në adresat e qytetarëve të caktuar për t’i verifikuar nëse ndodhen nëpër shtëpi apo banesa ku e kanë të paraqitur vendbanimin”, kanë thënë burimet e “Fol-Online”.

Sipas të njëjtave burime, në mesin e personave që duhet verifikuar janë edhe ata që janë identifikuar duke hyrë në Serbi me vetura nga Kosova.

Në fakt, ka kohë që subjektet politike shqiptare në Luginë dhe qytetarët kanë ngritur shqetësimin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve. Shqiptarët e Luginës, që jetojnë në Perëndim apo edhe në Kosovë, nëse nuk paraqiten për kohë të caktuar pranë institucioneve për verifikim të adresës, atëherë adresa e tyre pasivizohet dhe kështu humbin çdo të drejtë të garantuar.

Pasi një personi i pasivizohet adresa, nëse paraqitet për të marrë dokumente të reja, autoritetet serbe e njoftojnë se nuk mund të aplikojë, pasi nuk ka vendqëndrim.

Sipas të dhënave të fundit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, janë mbi 3.000 adresa që janë pasivizuar në Medvegjë dhe mbi 2.000 në Preshevë e Bujanoc.

 (r.m.)