Serbia vazhdon të punojë për çnjohje të Kosovës

Beograd, 13 maj 2022 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Serbisë do të vazhdojnë të punojnë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, tha ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviq.

Ai iu drejtua publikut pas një seance të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të kryesuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e thirrur pasi që Kosova më 12 maj aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Si ministër i Punëve të Jashtme, sot ia dorëzova presidentit (Aleksandar) Vuçiq notat diplomatike të katër vendeve që tërhoqën njohjen e Kosovës dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare e autorizoi Vuçiqin që ta informojë opinionin e gjerë se për cilat shtete bëhet fjalë, sapo ta gjykojë që është e nevojshme”, tha Selakoviq.

Selakoviq nuk bëri të ditur se për cilat shtete bëhet fjalë.

“Me këtë veprim, duam t’u japim një shans shteteve anëtare të Këshillit të Evropës (KE) që të mos iniciojnë procedurën e pranimit të të ashtuquajturës Kosovë në KE në

qershor”, tha ai.

Takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i Serbisë është mbajtur të premten në Beograd – një ditë pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare tubon përfaqësuesit më të lartë të sektorit të mbrojtjes dhe të sigurisë në Serbi dhe kryesohet nga kreu i shtetit.

Autoritetet e Kosovës konfirmuan të enjten se kanë aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në këtë organizatë, e cila merret me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim se Prishtina zyrtare po hap një kapitull të ri.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

“Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Liria e shprehjes dhe medias çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Luftimi i korrupsionit është i pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit, prioritet”, ka deklaruar Kurti.

Ministri i Jashtëm, Nikola Selakoviq, tha të premten edhe se shërbimet serbe të sigurisë kanë marrë informacione se “të paktën dy vende të mëdha aktualisht po punojnë për t’i ofruar mbështetje serioze logjistike Prishtinës në fushatën e tyre për njohje të reja, por edhe në parandalimin e fushatës së tërheqjes së njohjeve”. Ai nuk i përmendi se cilat janë këto shtete.

Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por ende nuk është anëtarësuar në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Përveç që nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, Kosova nuk është as anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe të tjera.

Serbia, gjatë gjithë kohës, ka bërë fushatë aktive për tërheqjen e njohjeve së pavarësisë së Kosovës dhe për bllokimin e anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Aleate kryesore e Serbisë në këto përpjekje është Rusia.

Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës më 16 mars të këtij viti, për shkak të agresionit që ka filluar në Ukrainë, më 24 shkurt.

Pa Rusinë, dy të tretat e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës e njohin pavarësinë e Kosovës.

Marrë parasysh se vendimet merren me shumicën e votave të shteteve anëtare, mundësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është reale.

Në reagimin e tij ndaj vendimit të Kosovës për aplikim, Vuçiq u tha gazetarëve në Beograd se Serbia “do të bëjë më të mirën, për të treguar se mund të luftojë”.

“Kjo ka efekt shtesë në marrëdhëniet në rajon. Kujt i nevojitet dhe kush e ka bindur Prishtinën që ta ndërmarrë këtë iniciativë? Përgjigjja jonë duhet të jetë e zgjuar dhe paqësore, për të ruajtur stabilitetin”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se “këtë lojë e udhëheqin vendet kryesore perëndimore” dhe se Serbia është “një vend i vogël liridashës, që ruan sovranitetin e saj dhe të drejtën për të vendosur”.

“Ne do të përpiqemi t’i kundërshtojmë ata në mënyrë paqësore dhe diplomatike për këtë çështje”, tha Vuçiq.

Ministri i Brendshëm i Serbisë për neutralitet politik

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se nëse Kosova arrin të anëtarësohet në Këshill të Evropës, Serbia duhet të shpallë edhe neutralitet politik, njësoj siç e ka neutralitetin ushtarak.

Serbia, e cila synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, ndjek politikën e mosangazhimit në asnjë aleancë ushtarake.

Megjithatë, autoritetet në Serbi bashkëpunojnë si me NATO-n, ashtu edhe me Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive, e cila ka bazën në Rusi.

“Se çfarë mendojnë realisht vendet anëtare të BE-së për Serbinë, do të tregojë vota e tyre për kërkesën e Prishtinës për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës. Ne nuk duhet të presim edhe njëzet vjet për të ditur nëse BE-ja e do Serbinë në radhët e saj. Do të mjaftojë të votojnë ose të mos votojnë pranimin e territorit në organizatën e përbërë nga shtetet”, tha Vulin.

(Valona Tela, REL)