SERBIZIMI I UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS (1990-1998)

Adil FETAHU

Universiteti i Prishtinës ka qenë halë në fyt e terr në sy për politikën ultranacionaliste e shoviniste serbe kundër shqiptrëve. Atë e quajtën me epitete më urrejtëse gjatë tërë kohës, ndërsa në periudhën e suprimimit të autonomisë dhe të okupimit të Kosovës (1990-1999), e  serbizuan totalisht. Dhe për ta kryer serbizimin e Universitetit, në krye të tij u vu urrejtësi i tërbuar i shqiptarëve, malazezi i shartuar në serb, Radivoje Papoviq, me “pajdashët” e tij rreth e rrotull. Politikën e serbizimit të Universitetit të Prishtinës e përkrahte dhe ndihmonte me te gjitha mjetet dhe mënyrat shteti dhe kisha e Serbisë.

Masat e dhunshme të pushtetit të Serbisë në Universitetin e Prishtinës u futën në ditën e “Vidovdanit”, 28 qershor  1991. Nuk ishte kjo rastësi, por në këtë ditë që politika serbe e “festoon” si ditën e humbjes  të Luftës së Kosovës (1389), deshi t’i jep konotacion festiv dhe madhështor politikës së dominimit serb mbi identitetin dhe qenien shqiptare të Kosovës në përgjithësi, e të Universitetit të Prishtinës në veçanti.   

Sipas Vendimit të Kuvendit të Serbisë, RS-nr.152,dt.27.VI.1991, të publikuar në “Slluzhbeni gllasnik RS”, nr.38, dt.28.VI.1991, u shkarkuan:

Skender Karahoda, nga detyra e rektorit

Dali Emërllahu, nga detyra e prorektorit

Ndëra e uemëruan:

  • Papoviq Radivoje, organ i përkohshëm punëdrejtues (roli i rektorit)
  • Doshliq Misha, zëvendës i OPP (zëvendës-prorektor)
  • Doganxhiq Stanoje, poashtu zëvendës i OPP (zëvendës-prorektor)

kurse në vend të Pleqësisë së Universitetit, u emëruan tre veta:

1.Shqpanoviq Lubomir, kryetar

  1. Vukoviq Vlladeta, anetar, dhe
  2. Samarxhiq Drago, anëtar.

Më heret, më 26.XI.1990, masa të dhunshme ishin futur në Bashkësinë Punuese (administratën) të Universitetit (Vendimi RS-nr.57,dt.26.XI.1990; “Sll.gllasnik RS”,nr.13, dt.26.XI.199), me  ç’tast Destan Halimi ishte shkarkuar nga detyra e sekretarit te Universietit, e në vend të tij ishte emëruar Ranko Gjukiq, kurse  në vend të Këshillit të Punëtorëve të Universitetit ishte emëruar grupi prej tre vetave:

  1. Shçepanoviq Sava, kryetar
  2. Simiq Ruzhica, anetare, dhe
  3. Çuk Natasha, anëetare.

Me të marrë detyrën e rektorit të dhunshëm, Radivoje Papoviqi, u angazhua maksimalisht për përzërnien e studentëve dhe profesorëve  shqiptarë nga objektet publike të Universitetit, gjë që edhe arriti që në nëntor të vitit 1991, u përzunë me dhunë, për të vazhduar punën nëpër shtëpitë private  të atyre zemërbardhëve që i lëshuan ato për të ndihmuar mbajtjen e mësimit. Menjeherë, në nëntor 1991, rektor i Universitetit që funksionte në shtëpi private, u zgjodh prof.dr.Ejup Statovci, i cili punoi me shumë përkushtim dhe guxim.

Plotësimi i Universitetit të Prishtinës me studentë serbë nga Serbia

Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe stabilizimit të pushtetit okupues të Serbisë, të cilin e realizoi  me desantin policor-ushtarak më 5 korrik 1990, kur e  ndërpreu me dhunë  funksionin dhe punën e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, vazhdoi me masa të dhunshme në institucionet e pushtetit qendror dhe lokal, në ndërmarrjet ekonomike dhe në institucionet shoqërore, duke i shkarkuar nga vendet udhëheqëse shqiptarët e duke i zëvendësuar ata me serbë e malazezë. Poashtu veproi edhe me punëtorët e kolektiveve punuese në të gjitha nivelet dhe subjektet, duke ndërruar strukturën kombëtare në dëm të shqiptarëve e në favor të sllavëve. Hartoi e miratoi plane e programe për rikolonizimin e Kosovës, ndërtoi koloni të reja anembanë Kosovës, në të cilat solli serbë nga Serbia, sidomos refugjatë e kriminelë të ikur nga lufta  që zhvillohej në Bosnje dhe Kroaci.

Një ndër pikat strategjike për zhdukjen e identitetit dominues shqiptar në Kosovë ishte Universiteti i Prishtinës, i cili dominohej nga studentë dhe profesorë shqiptarë.  Politika shoviniste serbe u përpoq  të barazojë numrin e studentëve serbë dhe të sjellë profesorë serbë, për të cilët e ndërtoi edhe një koloni banesash në Prishtinë.

Me Vendimin e Kuvendit të Republikës së Serbisë, RS.nr.411, dt.23 korrik 1990, të shpallur edhe në “Gazetën Zurtare të KSAK”, nr.28/1990), ishte vendosur që në të gjitha fakultetet dhe shkollat e larta të Universitetit të Prishtinës, të vijnë e studjojnë 2198 studentë të rregullt serbë. Natyrisht, do të mbushej edhe me studentë me korepodencë.

Në vendimin e përmendur të Kuvendit të Serbisë:  “Vendim për numrin plotësues të studntëve për regjistrim në vitin e parë të studimeve në takultetet dhe shkollat e larta në KSA të Kosovës për vitin shkollor 1990/1991”, në nenin 1 të Vendimit ishte përcaktuar:

“Me këtë Vendim përcaktohet numri plotësues i studentëve për regjistrim në vitin e parë të studimeve në fakultete dhe shkolla të larta në KSA të Kosovës në vitin shkollor 1990/1991.

Kandidatët të cilët e kanë dhënë provimin kualifikuar për regjistrim në vitin e parë të studimeve në fakultet, përkatësisht në shkollën e lartë në Republikën Socialiste të Serbisë për vitin shkollor 1990/91, e për shkak të mundësive të kufizuara nuk kanë mund të regjistrohen në fakultetet, përkatësisht në shkollën e lartë në të cilën e kanë dhënë këtë provim, mund të regjistrohen në vitin shkollor1990/91 në fakultetetin përkatës, përkatësisht në shkollën e lartë në KSA të Kosovës në studime me mësim në gjuhën serbokroate dhe atë:…”.

Në vazhdim të Vendimit jepet numri i saktë i studentëve të cilët do të mund të regjistrohen në secilin fakultet, në secilin drejtim a sektor, si dhe në shkolla të larta.

Për të mos e ngarkuar këtë shkrim me shifra detale të vendimit, këtu po  pasqyrojmë  vetëm të dhënat kryesore, për numrin e përgjithshëm të paraparë për secilin fakultet dhe shkollë të lartë. Me vendim ishte përcaktuar kështu:

në Fakultetin e Arteve                                                                     23 studentë

në Fakultetin e Bujqësisë                                                             150

në Fakultetin Ekonomik                                                               210

në Fakultetin Juridik                                                                      210

në Fakultetin Filologjik                                                                 250

në Fakultetin Filozofik                                                                    75

në Fakultetin e Kulturës Fizike                                                     30

në Fakultetin e Mjekësisë                                                            190

në Fakutletin e Shkencave Matematike-Natyrore                220

në (katër) Fakultetet Teknike                                                     530

në Fakultetin XM-Arkitektonik në Prishtinë                            110

në Fakutetin Xeht.Metalurgjik në Mitrovicë                             70

në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë                                    50

në Shkollën e Lartë Teknike në Mitrovicë                                60

në Shkollën e Lartë Teknike në Ferizaj                                      20

Në Vendimin e Kuvendit të Serbisë, ishin caktuar edhe kuotat, numri i studentëve nga universitetet e Serbisë, të cilët do të vinin për të studjuar në Universitetin e Prishtinës. Ja edhe ato të dhëna:

nga Universiteti i Beogradit                                             846 studentë

nga Universiteti i Novisadit                                             319

nga Universiteti i Prishtinës                                             158

nga Universiteti i Kragujevcit                                          165

nga Universiteti i Nishit                                                    315

Një numër tjetër më i vogël i studentëve do të vinin nga  universitetet tjera të Serbisë, nga qytetet: Bor, Valevë, Leskovc, Suboticë, Vranjë.

Në Vendimin e Kuvendit të Serbisë, ishte përcaktuar se “Mjetet për zhvillimin e mësimit të studimeve në fakultetet dhe shkollat e larta të KSA të Kosovës, për studentë të rrregullt të përcaktuara me nenin 1 të këtij Vendimi, sigurohen me kontratën të cilën e lidhin Fondi Republikan i Arsimit Universitar, Fondi Krahinor i Arsimit Universitar të Vojvodinës dhe Fondi Krahinor I Arsimit Universitar të SA të Kosovës, përkatësisht Bashkësia Krahinore e Arsimi të Orientuar të KSA të Kosovës”.

Se sa studentë nga numri i përcaktuar me  vendim, kanë ardhur realisht për të studjuar në fakultetet dhe shkollat e larta në Kosovë, për këtë nuk ka të dhëna dhe nuk e besojmë se kanë ardhur gjithë ai numër. Por, sidoqoftë, me përzënien e studentëve dhe të profesorëve shqiptarë nga objektet publike të fakulteteve e të shkollave të larta, Universiteti i Prishtinës, deri pas çlirimit të Kosovës, e humbi pamjen dhe identitetin shqiptar dhe mori identitetin serb, madje me tërë përmbajtjen, tërë përbërjen dhe ikonografinë.

Sikur që të gjitha rrugëve, shesheve dhe institucioneve të Kosovës iu ndërruan emrat shqip e të personaliteteve ose të ngjarjeve nga historia shqiptare, edhe  para fakulteteve dhe në kampusin e Universitetit të Prishtinës u instaluan objekte e shtatore për të dëshmuar vetëm identitetin serb. Para Rektoratit të Universitetit u vu shtatorja e Dositej Obradoviqit; para  Fakultetit Filozofik u vu shtatorja e Vuk Karaxhiqit, ndërsa para Bibliotekës Universitare e Popullore u vu shtatorja e Njegoshit.

Kisha serbe në Kampusin e Universitetit – mbeti përmendore e turpit

Për t’i dhanë fund identitetit shqiptar të Universitetit të Prishtinës, u kujdes edhe Kisha Ortodokse e Serbisë. Në koordinim të politikës shoviniste me organet e pushtetit serb dhe me rektorin famëkeq të Universitetit të serbizuar, Radivoje Papoviqin, në vitin 1992 filloi ndërtimi dhe deri në vitin 1998, në kampusin e Universitetit u ngrit objekti i madh i kishës serbe, dhe objekti tjetër për  selinë e kishës e për banim të popave serbë dhe për të hapur fakultet të bogosllovisë, në kuadër të Universitetit. Lejen për ndërtimin e kishës në kampusin e Universitetit e kishin dhënë organet e dhunshme të pushtetit serb në komunën e Prishtinës, ndërsa pëlqimin me shumë zell e kishte dhënë rektori Papoviq, me kryepriftin e dioçezes se Rashkë-Prizrenit,  Pavle, i cili për këtë meritë më vonë u gjodh patriark i Kishës Ortodokse Serbe.

Për çudi dhe për turpin e atyre që e lejuan, atyre që e ndërtuan dhe këtyre që nuk e “shkulën” prej andej, objekti i kishës akoma qendron si përmendore e turpit në kampusin e Universitetit, aty nuk e ka vendin.

Comment

*