Serwer: Asociacioni nuk ishte në versionin e parë të propozimit franko-gjerman, u përfshi në versionin e dytë

Vjenë, 27 janar 2023 – Profesori i Universitetit “Johns Hopkins”, Daniel Serwer, ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk ishte në versionin bazë të propozimit franko-gjerman, por është përfshirë në versionin e dytë, pas presionit të Serbisë.

Eksperti i shquar amerikan për Ballkanin, Serwer, në një intervistë dhënë mediave austriake, ka thënë se Serbia ka kërkuar që Asociacioni të formohet menjëherë dhe shtetet e QUINT-it e përmbushën këtë kërkesë të Beogradit.

Serwer ka theksuar se propozimi franko-gjerman parasheh që komuniteti serb në Kosovë të financohet drejtpërdrejt nga Serbia, gjë që bën të mundur që Beogradi të vazhdojë ta kontrollojë komunitetin serb në Kosovë.

“Është e sigurt se Beogradi mund të përdorë komunitetin për të ushtruar kontroll, por Beogradi tashmë i kontrollon dhe i financon komunat me shumicë serbe, përmes Listës Serbe”, ka thënë ai.

Serwer e ka kritikuar propozimin për shkak se ai nuk i referohet Kushtetutës së Kosovës si pikënisje, pasi që Gjykata Kushtetuese ka gjetur se disa nga parimet e marrëveshjes për Asociacionin bien në kundërshtim me Kushtetutën.

Ai ka thënë gjithashtu se në propozimin franko-gjerman nuk përmenden fare pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Serwer ka thënë se 10 vjet më parë, kur ishte arritur marrëveshja për formimin e Asociacionit, shumëkush kishte supozuar se Serbia do ta njohë Kosovën një ditë, në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së, gjë që, rrjedhimisht, do ta bënin edhe pesë shtetet e unionit që nuk e kanë njohur Kosovën.

Sidoqoftë, Serwer ka vlerësuar se është relativisht e lehtë që ndaj Kosovës të bëhet trysni për ta pranuar propozimin franko-gjerman, sepse Kosova, siç është shprehur ai, “nuk ka zgjidhje tjetër veçse të ndjekë anëtarësimin NATO dhe BE.

(Sipas gazetës “Blic”)