Serwer: Ballkani do të ndahet, sepse këtë e duan Moska dhe Beogradi

Uashington, 20 janar 2022 – Analisti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, profesor në Universitetin John Hopkins, ka reaguar në lidhje me raportin e publikuar nga kolegu i tij Edëard Joseph, në të cilën u përfshinë edhe gjashtë autorë, përfshirë Lulzim Pecin nga Kosova.

Në raportin e sapobotuar “Nga kriza në konvergjencë – Strategjia për të luftuar paqëndrueshmërinë në Ballkan në burimin e saj” nga Shkolla e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara të Universitetit Johns Hopkins dhe nga Qendra Wilson,  një nga institucionet prestigjioze akademike të SHBA-së, tregohet se si duhet bindur shtetet mosnjohëse që ta njohin Kosovën dhe se si irredentizmi po e rrezikon Ballkanin.

Serwer nuk është pajtuar me disa pika të raportit, përfshirë edhe me atë që thotë se nëse Kosova futet sa më shpejt në NATO, atëherë do të stimulohet Serbia ta pranojë rendin perëndimor në Ballkan dhe do të frenohet Rusia.

Serwer ka thënë se Washingtoni do të sanksionojë ata që promovojnë bashkimin në vija etnike.

“Raporti vë theksin në bindjen e shteteve jonjohëse që të njohin Kosovën, duke respektuar vështirësitë e procesit. Kjo është pjesa qendrore e asaj që e quajnë strategji “konvergjence”. Ata gjithashtu, me të drejtë, vlerësojnë se Greqia është një prej vendeve mosnjohëse më të mundshme që do ta bëjë gjënë e duhur. Pra, është për të ardhur keq që në raport nuk përfshihet një autor grek. Një nga arsyet e urgjencës në lidhje me njohjen është kërcënimi në rritje i irredentizmit. Beogradi po ëndërron një “Shtëpi serbe” ku do të përfshiheshin pjesët e banuara me serbë në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Kjo ide nuk dallon nga Serbia e Madhe. Kjo ishte ideja e Sllobodan Millosheviqit që futi në luftë Kroacinë e Bosnjën. (Kosova dhe Mali i Zi në atë kohë ishin nën kontrollin serb). Disa në Tiranë dhe Prishtinë, përfshirë kryeministrat aktualë, e pëlqejnë idenë e Shqipërisë së Madhe, e cila përjashtohet me Kushtetutën e Kosovës. Këto ambicie territoriale të motivuara etnikisht janë, siç thuhet në raport, shkaku kryesor i paqëndrueshmërisë në Ballkan. Por, autorët bëjnë gabim që sugjeruan që SHBA-ja të sanksionojë ligjërisht paladinët e tyre. Ky propozim tërheq shumë vëmendjen e shtypit në rajon, por nuk do të ndodhë. Ëashingtoni nuk vendos sanksione ligjore për opinione, por për veprime. Zyrtarët amerikanë mund të kufizojnë aksesin dhe, madje, edhe vizat për zyrtarët e huaj që thonë gjëra që Washingtoni i konsideron destabilizuese”, shkruan Serwer në faqen e tij “Peacefare.net”.

Ai shton se gabimi më i madh në raport është argumentimi se njohja dhe anëtarësimi eventual i Kosovës në NATO do të ndryshojë llogaritjen strategjike të Beogradit, do ta stimulojë Serbinë të pranojë rendin perëndimor për Ballkanin dhe do të frenojë Rusinë.

“Dyshoj në këto propozime. Beogradi pretendon se është neutral, por në fakt po riaarmatoset përtej çdo nevoje për t’u përballur me kërcënimet ushtarake. Edhe Serbia po shkon drejt një autokracie të brendshme. Politika e saj është zhvendosur përfundimisht drejt nacionalizimit virulent etnik. Opozita e saj demokratike është zhdukur, mediat nuk janë të lira”, shkruan Serwer.

Serwer thotë se njohja e Kosovës dhe përparimi i saj drejt NATO-s mund të ngjajë të ndalojë çdo ndërhyrje ushtarake të Serbisë. Por, kjo do ta stimulojë më shumë Serbinë të marrë drejtime të gabuara e po ashtu që politikanët nacionalistë të përfitojnë.

“Të jem i qartë, më pëlqen ideja për të punuar shumë për njohjet nga vendet jonjohëse të BE-së, veçanërisht nga ato katër shtetet që janë anëtare të NATO-s. Aleanca duhet të përgatitet për pranimin e Kosovës jo më vonë se deri në përfundim të procesit të formimit të ushtrisë së saj, që është paraparë më 2027. Por, nocioni se njohja dhe anëtarësi në NATO disi do të zhbëjnë zhvendosjen e brendshme dhe ndërkombëtare të Serbisë në drejtimet e gabuara është e trilluar. Evropa ‘si e tërë dhe e lirë’ janë shkronja të vdekura tashmë. Po ashtu edhe Ballkani ‘i tërë dhe i lirë’. Rajoni do të ndahet, pasi kjo është mënyra që duan Moska dhe Beogradi. Pyetja e vetme është se në çfarë vijash do të vizatohet”, thotë Serwer.

(r.m.)