Serwer: Nuk di nëse Kosova mund ta padisë Serbinë për gjenocid

Uashington, 15 maj 2021 – Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, profesor në Universitetin “Johns Hopkins”, ka deklaruar se fakti se në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë nuk u zhvillua proces gjyqësor për gjenocid në Kosovë nuk do të thotë se shteti i Serbisë nuk mund të paditet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, ai ka thënë se nuk e di se si mund të ndodhë kjo, për shkak se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është në juridikcionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

““Për mua është e paqartë nëse Kosova mund t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sepse ajo nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është në mesin e shteteve të pëtfshira në statutin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë Serwer për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

Sipas z. Serwer, paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës se do të dërgojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë padi ndaj Serbisë përgjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë nuk do të jetë pa efekt.

“Paralajmërimi i autoriteteve të Kosovës sigurisht që do të ketë një efekt politik në Kosovë, në Serbi dhe në bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Serwer.

Ai ka thënë se vetë paralajmërimi për padi eventuale kundër Serbisë për gjenocid do të shkaktonte reagime të ashpra në Beograd, do ta bënte më të vështirë dialogun Kosovë-Serbi dhe nuk do të miratohej nga Brukseli dhe nga Uashingtoni.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, e ka përfshirë në programin e saj qeverisës ngritjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë.

(r.m.)

Comment

*