Shantazhi / Berisha e kërcënoi me përgjime, Basha e paralajmëron se do rrëfejë korrupsionin 2005-2013, lufta në PD drejt ‘vijës së kuqe’

Lulzim Basha i përgjigjet shantazhit të Berishës që deklaroi se e kishte përgjuar në zyrë. E paralajmëroi se nëse nuk tërhiqet do të rrëfejë detaje nga veprimtaria e zezë gjatë periudhës 2005-2013, kur ishin bashkëpunëtorë të ngushtë

 ‘Bombardimi’ amerikan i Sali Berishës dhe familjes së tij në 19 maj 2021 ka ndarë Partinë Demokratike në dy kampe kundërshtare, njëri me Lulzim Bashën në krye, ndërsa tjetri me në krye Sali Berishën.

Beteja mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për të komanduar PD-në, që kur Basha e përjashtoi në 9 shtator nga partia, po i afrohet ‘vijës së kuqe’. 

Pas kërcënimit të koduar që duhet të kthehet në Holandë, Sali Berisha ka nisur të shantazhojë Lulzim Bashën, duke e paralajmëruar se do t’i publikojë përgjimet në zyrën e tij, kur Basha shkonte zakonisht për t’u këshilluar.

Gjatë aksionit të tij, Berisha, duke parë se Basha nuk po reflekton ndaj ultimatumit për të lëshuar kreun e PD-së dhe për t’u rikthyer në Holandë, tha se kishte përgjuar Bashën që kur i kishte besuar drejtimin e partisë në vitin 2013.

“Në këtë iPad kam shumë dokumente, që faktojnë se Lulzim Bashës i kam thënë në zyrën time shumë gjëra. Ato gjëra që keni kërkuar ju. Unë këtu kam shumë dokumente, unë mund të faktoj shumë gjëra…”, tha Berisha. Ky mesazh është një shantazh i hapur ndaj Lulzim Bashës, i cili kërcënohet nga Berisha se do t’i publikojë bisedat e përgjuara, pas akuzave se ka shitur sovranitetin e partisë tek amerikanët, ka bashkëpunuar prapa krahëve me to kundër tij etj.

Lulzim Basha ka vendosur t’i përgjigjet shantazhit të Sali Berishës po me shantazh.

Gjatë një mbledhje të zhvilluar mbrëmë në selinë e PD-së, Lulzim Basha ka kërcënuar hapur Sali Berishën, se nëse do të vijojë lojën e përgjimeve, Basha do të publikojë detaje rreth aktivitetit kriminal dhe korruptiv të Sali Berishës.

Për 15 vjet, Lulzim Basha ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sali Berishës, dëshmitar i aktivitetit të tij të zi, dhe sidomos dy akteve të rënda, vrasjeve të 21 Janarit dhe shitjes së detit.

Në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë së PD-së, Basha u përball me dy ushtarët e Sali Berishës, Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi, të cilët Berisha, kur ishte në pushtet, i ka përdorur për afera madhore, por edhe për rrëmbimin e ish Klubit Partizani për Familjen e tij. Duke iu përgjigjur Nokës dhe Bylykbashit, Basha i dha një mesazh Berishës, duke deklaruar se

“Qeverisja 8-vjeçare e PD ka pasur pjesën e vet të mirë dhe ka pasur edhe llumin”. Pikërisht, ‘llumi’ është përgjigja e Bashës për Berishën.

Nëse Berisha do të vijojë shantazhin me përgjime, Basha mund të flasë për aferat e tij gjatë qeverisjes 2005-2013.

Nga ana tjetër, Basha ka në dorë edhe një tjetër armë të fortë për të goditur Berishën. Basha di detajet e dosjes amerikane të shpalljes ‘non grata’ të Berishës dhe familjes së tij. Basha u ka thënë ushtarëve të Berishës se nuk do t’i merrnin vesh kurrë këto detaje të rënda. Basha ka mësuar detajet e dosjes amerikane për Berishën në takimin që pati me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit Reeker, në 30 qershor 2021, në zyrën e tij./Pamfleti