SHBA: Demokratët, republikanët bien dakord për nevojën e hetimit për dokumentat e klasifikuara

Uashington, 16 janar 2023 – Vizita e presidentit Joe Biden në Xhorxhia për të kujtuar trashëgiminë e Martin Luther Kingut, nuk e largoi vëmendjen nga fakti që ai po hetohet nga një prokuror special për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara.

Gjashtë faqe me informacione sekrete u gjetën së fundmi në bibliotekën e tij private. Dosje të tjera u gjetën në shtëpinë e tij në Delaware dhe në zyren e tij në Qendrën “Penn Biden” në Uashington.

Situata po krahasohet me zbulimin e mbi 300 dokumenteve “Top Secret” në pronën e ish-presidentit Donald Trump në Florida. Edhe për këtë çështje është caktuar një prokuror i posaçëm.

Ligjvënësi demokrat, Adam Schiff nënvizoi dallimet në të dyja rastet, por e pranoi se hetimi i zotit Biden është i përshtatshëm.

“Dua të di se çfarë janë këto dokumente dhe çfarë vlerësimi do bëhet pas hetimit. Nëse kishte rrezik nga zbulimi i informacionit dhe cili do ishte dëmi si dhe nëse duhet trajtuar dëmi i shkaktuar”, tha për televizionin amerikan, ABC, ligjvënësi demokrat, Adam Schiff.

Shtëpia e Bardhë thotë se do të bashkëpunojë me hetuesit, të cilët po shikojnë nëse ka pasur shkelje të qëllimshme të ligjit apo neglizhencë.

Ligjvënësi republikan, Don Bacon theksoi rreziqet e mundshme nga keqpërdorimi i dokumenteve sekrete nga politikanë, pavarësisht nga përkatësia partiake.

“Si të mbash informacione tejet sekrete në garazhin ose në shtëpinë tënde, apo aty ku shtetasit kinezë kanë qasje, të gjitha janë gabim. Nuk mund të fajësojmë vetëm palën tjetër”, tha ligjvënësi republikan, Don Bacon.

Nëse presidenti me vetëdije ka marrë dokumente sekrete kjo do të përbënte vepër penale, jo vetëm një shkelje e sigurisë.

Ish-zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein shpjegoi se çfarë duhet të presim nga procesi gjyqësor, duke pasur parasysh se një president në detyrë nuk mund të paditet.

“Prokurori i posaçëm duhet të vlerësojë faktet dhe ligjin dhe politikat e Departamentit të Drejtësisë dhe më pas t’i bëjë një rekomandim Prokurorit të Përgjithshëm, Garland nëse ndjekja penale është e nevojshme. Pastaj i takon zotit Garland të marrë vendim nëse do ta pranojë rekomandimin”, tha zoti Rosenstein gjatë emisionit “Meet the Press” të televizionit amerikan NBC.

Senatori demokrat Raphael Warnock, i cili gjatë fundjavës shoqëroi presidentin Biden në Xhorxhia, i tha televizionit ABC se një gjë është e sigurt…

“Askush nuk është mbi ligjin. E vlerësoj që Departamenti i Drejtësisë po bën punën e tij dhe duhet që kjo punë të vazhdojë”, tha senatori demokrat, Raphael Warnock.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen dhe Përgjegjësinë, i udhëhequr nga republikanët, do që Shtëpia e Bardhë të ofrojë regjistrin e vizitorëve të rezidencës së Presidentit Biden, si dhe dokumentet dhe komunikimet e vendeve që u kontrolluan pasi u gjetën dokumente të klasifikuara.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*