SHBA dhe BE bëjnë thirrje për zgjedhje të lira në Shqipëri

Tiranë,25 prill 2021 – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, e cila doli për të parë nga afër funksionimin e pajisjes së identifikimit biometrik të votuesve, nga Shkodra u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të votojnë të lirë jashtë çdo ndërhyrjeje.

Ajo theksoi se SHBA-ja inkurajon qytetarët shqiptarë që të ushtrojnë në mënyrë të lirë vullnetin e tyre përmes votës.

“SHBA-ja nuk mbështet një parti politike apo një kandidat të caktuar politik, por ne mbështesim të drejtën e qytetarëve për të votuar. Shpresojmë që çdo qytetar shqiptar të ketë mundësinë që të shkojë të votojë i lirë dhe larg çdo ndërhyrjeje. Kjo është dita juaj”, tha ambasadorja Yuri Kim.

Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca i është drejtuar qytetarëve shqiptarë mëngjesin e së dielës ku ju kërkoi të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

“Më 25 prill është fuqia juaj demokratike për të hedhur votën të lirë dhe me integritet. Kjo është mënyra se si ju tregoni se kujdeseni për komunitetin, familjen dhe të ardhmen. Kjo votë është juaja, askush nuk mund ta marrë prej jush. BE-ja qëndron përkrah Shqipërisë në ditën e zgjedhjeve. Ti vendos!”, shkruan Soreca.

(r.m.)