SHBA dhe bota e nderojnë ish sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright

Uashington, 27 prill 2022 – Presidenti Joe Biden, ish-presidentët Bill Clinton e Barack Obama, iIsh-sekretaret e shtetit Condoleezza Rice dhe Hillary Clinton, si edhe autoritete të tjera të larta shtetërore amerikane dhe burrëshetetas, liderë e diplomatë nga mbarë bota, i bënë homazhe të mërkurën figurës së ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, gruas së parë që drejtoi Departamentin amerikan të Shtetit, në shërbimin përkujtimor për nder të saj në Uashington.

Presidenti Biden vlerësoi lart kontributin e zonjës Albright për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Emri i saj është ende sinonim për Amerikën si forcë për të mirë në botë”, tha Biden.

“Me mirësinë, humanizmin dhe intelektin e saj, ajo bëri ndryshimin e rrjedhës së historisë. Ne sot nderojmë një amerikane krenare, e cila na bëri të gjithë ne që të jemi më krenarë që jemi amerikanë”, theksoi ai.

“Në vitet 1990, Madeleine punoi ngushtë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe me Senatin në përpjekjet për të ndalur gjenocidin në Ballkan, dhe për të mbështetur demokracitë e reja në Evropën Qendrore dhe Lindore”, shtoi Biden.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, tha se në Kosovë, në Bosnjë dhe shtete të tjera të botës vazhdon të nderohet trashëgimia e zonjës Albright për liri.

Ai e kujtoi edhe udhëtimin e fundit me zonjën Albright në Kosovë, në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s.

“Kaluam një ditë të lumtur së bashku dy vjet më parë në Kosovë, 20 vjet pas konfliktit atje. I çliruam nga rreziku real i gjenocidit. Ecëm dorë për dore në rrugët e Prishtinës, në një ditë me diell të qershorit. Rrugëve kishin dalë çerek milion persona, që është numër i madh njerëzish në një shtet të vogël si Kosova. Dhe arritëm te subjekti i shëtitjes sonë, që ishte një bust i bukur i Madeleine që ishte nderimi i tyre për ndihmën e saj. E shohim nderimin e trashëgimisë së saj për të gjitha gjërat që ka bërë për Kosovën, Bosnjë dhe e shohim në shumë mënyra”, tha ai.

“Sot këtu me ne është presidentja, ish-presidentja dhe kryeministri i Kosovës. Po ashtu këtu është edhe ish-ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës. U desh të ndodhte masakra e Srebrenicës që të kishim mblidheshin mjaftueshëm njerëz që të bëhej ajo që sot po bëhet në një mënyrë tjetër në tentim për ta shpëtuar Ukrainën”, shtoi Clinton.

Zonja Albright, e cila shërbeu si sekretare e shtetit nga viti 1997 deri në 2001, vdiq muajin e kaluar nga kanceri. Pas vdekjes së saj, ajo u vlerësua nga shumë njerëz si një pioniere në karrierën e saj politike.

Shërbimi përkujtimor i mbajt sot në mesditë në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit.

Albright dhe familja e saj u larguan nga nazistët në Çekosllovaki, vend i saj i lindjes, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata u vendosën përfundimisht në Shtetet e Bashkuara, ku zonja Albright u ngrit në postin e një diplomateje të famshme për një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe një koleksion karficash që ajo mbante për të dërguar mesazhe politike.

Madeleine Albright shërbeu në postin e ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara nga viti 1993 deri në vitin 1997 gjatë mandatit të parë të Presidentit Bill Clinton përpara se të bëhej sekretare e shtetit dhe ishte një mbështetëse aktive e fushatave presidenciale të zonjës Clinton.

Zonja Albright ishte një nga zërat më të fuqishëm kundër mizorive të diktatorit serb Sllobodan Millosheviq në luftërat e Ballkanit. Ajo mbështeste hapur ndërhyrjen e aleancës së NATO-s në Kosovë, me qëllim që të ndalej vrasja e civilëve shqiptarë nga forcat serbe në luftën e viteve 98-99.

Fushata 78 ditore e bombardimeve të NATO-s kundër Beogradit, solli lirinë e Kosovës.

“E fituam këtë luftë në mënyrë që ju të mund të shkoni në shtëpi dhe të jetoni një jetë normale. Millosheviçi dhe serbët humbën kontrollin mbi Kosovë”, u tha zonja Albright refugjatëve shqiptarë gjatë një takimi me ta në kampet e Maqedonisë së Veriut.

Kosovën e lirë dhe të pavarur zonja Albright e vlerësonte si arritjen më të madhe të karrierës së saj.

(Zëri i Amerikës / Radio Evropa e Lirë)