SHBA dhe NATO fillojnë tërheqjen e trupave nga Afganistani

Uashington /Bruksel, 29 prill 2021 – Trupat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të NATO-s kanë filluar të tërhiqen nga Afganistani, kanë thënë të enjtjen zyrtarë të administratës amerikane dhe të aleancës veri-atlantike.

Sipas CNN, më pak se 100 trupa, së bashku me pajisjet ushtarake, janë zhvendosur kryesisht me aeroplanë.

Edhe NATO e ka filluar tërheqjen e misionit të saj nga Afganistani, i ka thënë agjencisë franceze të lajmeve, AFP, një zyrtar i NATO-s.

“Ky do të jetë një proces i rregullt, i koordinuar dhe i qëllimshëm”, ka thënë ai, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Anëtarët e aleancës së mbështetur nga SHBA-të kanë rënë dakord këtë muaj për të përfunduar misionin e tyre me 9.600 trupa në Afganistan, pasi presidenti amerikan, Joe Biden bëri thirrje që t’i jepet fund gjendjes së luftës atje.

Zyrtarë të lartë afganë thonë se talibanët po përdorin forcë në përpjekje për të fituar territor derisa trupat e huaja po tërhiqen.

Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, pati arritur një marrëveshje me talibanët për tërheqjen e trupave të huaja, në këmbim të garancive se nuk do të lejojnë që Afganistani të bëhet strehë e grupeve terroriste dhe se do të pranojnë të zhvillojnë negociata për paqe me qeverinë afgane.

Zyrtari i NATO-s ka thënë se siguria e trupave të aleancës “do të jetë një prioritet absoljut në çdo hap të rrugës”. Ai ka thënë se po i marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar personelin.

“Çdo sulm i talibanëve gjatë tërheqjes do të ketë një përgjigje të fuqishme. Ne planifikojmë që tërheqja jonë të përfundojë brenda disa muajsh”, ka thënë zyrtari i NATO-s.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se tërheqja e plotë e trupave do të bëhet deri më 11 shtator, në 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA. të cilat nxitën edhe përfshirjen ushtarake amerikane në Afganistan.

(r.m.)