SHBA dhuron pajisje për rinovimin e dy tuneleve të ruajtjes së municioneve

Vlera monetare e dhurimeve për ushtrinë e Shqipërisë në dy vjetët e fundit shkon rreth 1 milionë USD

Knid Ndrenika

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhuruan ushtrisë së Shqipërisë pajisje me vlerë që për dy vjetët e fundit llogaritet rreth 1 milion dollarë.

Pajiset do të shërbejnë për rinovimin e dy tuneleve të ruajtjes së municioneve të ushtrisë, sipas njoftimit nga ambasada amerikane në Tiranë.

Ambasada amerikane tha se gjatë dy viteve të fundit, Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (@US_EUCOM) ka investuar rreth një milion dollarë në rinovimin e dy tuneleve të ruajtjes së municioneve, si dhe pajisje dhe trajnime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Zëvendës Shefi i Misionit, Demian Smith dhe Shefi i Zyrës për Bashkëpunim në Mbrojtje LTC Erol Munir morën pjesë në ceremoninë e dhurimit të pajisjeve në Batalionin e Inxhinierëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

“Është frymëzuese të shikojmë pas në tridhjetë vitet e fundit dhe të shohim se sa shumë kemi arritur”-tha Zëvendës Shefi Smith.

Sipas zotit Smith, një nga pjesët më të rëndësishme të marrëdhënies mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë ka qenë partneriteti i jashtëzakonshëm në fushën e mbrojtjes.

“Kush do ta kishte imagjinuar tridhjetë vjet më parë, se sot do të ishim aleatë në NATO dhe ushtritë tona do të bënin kaq shumë së bashku këtu dhe në mbarë botën”-theksoi Zëvendës Shefi i Misionit, Smith.

Zoti Smith, zëvendësambasador shtoi se “tunelet e rinovuara rishtazi, së bashku me stërvitjet dhe pajisjet përfaqësojnë një aftësi tjetër të rëndësishme për Forcat tuaja Armatosura…”.

Ndërkaq, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral Major Bajram Begaj falënderoi Shtetet e Bashkuara për ndihmën ndaj ushtrisë shqiptare dhe zbuloi pllakatën në përkujtim të punës dhe bashkëpunimit të jashtëzakonshëm.

“Është kënaqësi të jem sot këtu me të ftuarin tonë special, nga ambasada e SHBA, z.Smith. Sot ne po shpalosim një tjetër projekt të rëndësishëm ë mbështetur nga partneri ynë strategjik, i cili është dhe mbetet aleati më i afërt për ne. Ky investim rrit dhe përmirëson aftësitë tona logjistike si një nga shtyllat kurrizore të qëndrueshmërisë tonë ushtarake…”, – tha Gjeneral Major Begaj.