SHBA: Do të ndihmojmë evakuimin e afganëve të rrezikuar, edhe pas tërheqjes së forcave ushtarake

Uashington, 25 gusht 2021 – Evakuimi kaotik dhe i rrezikshëm nga aeroporti i Kabulit ka nxitur një valë kritikash duke e përballur presidentin Biden me krizën më të madhe që kur mori detyrën në janar, raporton Reuters.

Zyrtarët amerikanë thonë se tërheqja e trupave ushtarake duhet të fillojë jo më vonë se të premten për të përfunduar deri më 31 gusht.

Trupat amerikane në aeroportin e Kabulit përfshijnë marinsat dhe parashutistët.

Derisa forcat amerikane dhe ato aleate po paketojnë pajisjet e tyre për tërheqje, ritmi i evakuimeve të civilëve do të ngadalësohet në mënyrë të pashmangshme.

Zyrtarët amerikanë janë zotuar se do të evakuojnë sa më shumë afganë që janë nën rrezik nga talibanët.

Pavarësisht ritmit aktual të evakuimit në të cilin janë përfshirë dhjetëra aeroplanë ushtarak të SHBA-së dhe nga vendet tjera, mijëra afganë të cilët mund të përballen me hakmarrjen e talibanëve, nuk do të jenë në gjendje të largohen deri në afatin e vendosur nga presidenti Biden.

Shoqata e Aleatëve të Luftës, një organizatë për refugjatët, vlerëson se 250.000 afganë duhet të evakuohen. Në këtë grup bëjnë pjesë përkthyes, shoferë dhe punëtorë të tjerë që kanë ndihmuar forcat amerikane.

Që nga muaji korrik janë evakuuar vetëm 62.000.

Departamenti i Shtetit tha se SHBA do të ndihmojë afganët në rrezik që të largohen nga vendi, edhe pas tërheqjes së trupave amerikane dhe se Uashingtoni do të bëjë presion mbi talibanët për të mundësuar largimin e tyre.

“Angazhimi ynë për afganët që janë në rrezik nuk përfundon pasi të marrë fund misioni ushtarak”, tha të hënën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

“Ne do t’i mbajmë përgjegjës talibanët. Edhe pjesa tjetër e botës do ta bëjë këtë, në mënyrë që individët që kërkojnë të largohen nga Afganistani të kenë një mundësi për ta bërë këtë”, tha ai.

(r.m.)