SHBA do t’i dërgojë Ukrainës sisteme raketore të avancuara

Uashington, 1 qershor 2022 – Presidenti Joe Biden njoftoi se SHBA-të kanë vendosur t’i sigurojnë Ukrainës “sisteme raketash me teknologji më të përparuar.

Duke shpallur paketën e re të ndihmës për sigurinë Presidenti Biden tha se fondi shtesë për Ukrainën, miratuar me mbështetjen dërrmuese dypartiake në Kongres, do t’i ofrojë këtij vendi më shumë nga armë që po përdoren në mënyrë efektive për të zmbrapsur sulmet ruse.

“Ne do të vazhdojmë të udhëheqim botën në ofrimin e ndihmës historike për të mbështetur luftën e Ukrainës për liri”, thuhej në deklaratën e shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë.

Vendimi për të dërguar armë më të avancuara pason hezitimin e mëhershëm të administratës Biden. Vetë Presidenti tha të hënën se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë raketa që mund ta godasin Rusinë.

Aministrata e Presidentit Joe Biden do të dërgojë në Ukrainë një numër të vogël raketash të përparuara me rreze të mesme veprimi.

Kjo është një armë jetike dhe e shumëkërkuar nga udhëheqësit ukrainas, të cilët po mundohen të pengojnë përparimin e forcave ruse në rajonin e Donbasit.

Zyrtarët amerikanë thanë se plani është që në Ukrainë të dërgohet artileri e lëvizshme, një sistem që montohet në kamionë dhe që mund të mbajë deri në gjashtë raketa.

Raketat me rreze të mesme veprimi mund të godasin objektiva në një distancë prej 70 kilometrash dhe forcat ukrainase kanë premtuar që nuk do të godasin objektiva në territorin e Rusisë, sipas zyrtarëve amerikanë.

Por, ky sistem mundëson edhe lëshimin e një rakete me rreze më të gjatë veprimi, deri në 300 kilometra, por që nuk është planifikuar për t’iu dhënë Ukrainës për këtë moment.

Sistemet e raketave janë pjesë e një pakete të re ndihmash prej 700 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën, që do të përfshijë helikopterë, armë antitank Javelin, automjete taktike, pjesë këmbimi dhe të tjera, thanë të martën zyrtarët.

Vendimi për të ndihmuar Ukrainën me sistemin e rakateve është përpjekje për të balancuar dëshirën për të ndihmuar Kievin, por duke mos ofruar armë me të cilat Kievi mund të sulmojë objektiva në territorin rus, gjë që mund të shkaktonte një luftë më të gjerë.

Presidenti Biden tha të hënën se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë në Ukrainë sisteme rakteash me të cilat mund të sulmohet Rusia.

Ndërkohë, Kancelari gjerman Olaf Scholz tha sot se Gjermania do ta furnizojë Ukrainën me sisteme moderne raketash anti-ajrore dhe radarë.

Njoftimi se Gjermania po planifikon rritjen e dërgesave ushtarake vjen pas kritikave se ky vend nuk po bpënte sa duhet për të ndihmuar Ukrainën.

Zoti Scholz u tha ligjvënësve se Ukraina do të furnizohej me raketa IRIS-T, të zhvilluara nga Gjermania së bashku me vende tjera të NATO-s.

“Ky është sistemi më modern i mbrojtjes ajrore që Gjermania ka. Ai do t’i mundësojë Ukrainës të mbrojë një qytet të tërë nga sulmet ajrore ruse”, tha zoti Scholz.

Ai shtoi se Gjermania gjithashtu do të furnizojë Ukrainën me sisteme radari, për të ndihmuar atë në gjetjen e artilerisë së armikut.

Njoftimi vjen ndërsa forcat ukrainase vazhdojnë betejën e vështirë për rajonin industrial lindor të Donbasit.

(Zëri i Amerikës)