SHBA duhet të bëjë më shumë për Kosovën: Takim me ligjvënësin amerikan

Botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane ”Illyria”, në New York, Vehbi Bajrami, vazhdon të lobojë për Kosovën në Kongresin Amerikan.

Këto ditë bashkë me bashkëshorten Gena dhe aktivistët e komunitetit Halil (Elio) Ahmetaj e bashkëshorten e tij Raben, si dhe Hajriz e Ramiz Hoti, ai u takua me kongresistin Jim Himes, bashkëkryetar i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare, në Kongresin Amerikan.

Organizator i takimit ishte Hajriz Hoti që është mik i kongresistit Himes. Veprimtarët shqiptaro amerikane e njoftuan ligjvënësin amerikan me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe kërkuan një angazhim më të madh të Kongresit e administratës amerikane për të ndihmuar Kosovën në sfidat me të cilat ballafaqohet ajo në dialogun me Serbinë si dhe forcimin e shtetit më të ri në Europë.

Takimi u organizua në restorantin e bashkatdhetarit Ramiz Hoti, “La Vista”, në South Salem, New York.

Botuesi i gazetës i dorëzoi një dokument ku përshkruhet lidhja tradicionale shqiptaro-amerikane, rëndësia e komunitetit shqiptar në SHBA dhe parashtrohen disa nga kërkesat më urgjente të Kosovës sot si dhe pikat ku SHBA mund të japë ndihmesën më të madhe për shqiptarët në rajon.

Disa nga kërkesat e shqiptarëve në dokumentin e botuesit Bajrami janë anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO, presioni ndaj pesë vendeve të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën, heqja e vizave nga BE-ja, ndëshkimi i vrasësve të Vëllezërve Bytyqi dhe drejtësi për të mbijetuarat e dhunimeve seksuale nga ushtria serbë në Kosovë, çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës e të tjera. E kaluara dhe e sotmja dëshmojnë se Serbia njeh vetëm gjuhën e forcës dhe ndëshkimit. SHBA duhet të marrë në shqyrtim sanksione ndaj Serbisë, ashtu si ka vendosur tani ndaj Rusisë.

Veprimtarët kërkuan që kongresisti Himes të vizitojë Kosovën së shpejti dhe ai pranoi me kënaqësi.

Me ndërhyrjen e botuesit të gazetës “Illyria” pritet një vizitë e një delegationi të gjerë kongresistësh në Kosovë nën drejtimin e kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme, në Dhomën e Përfaqësuesve, Gregory Meeks.

Kongresisti Himes është nga figurat e rëndësishme të Demokratëve në Kongresin Amerikan. Ai përfaqëson Distriktin e Katërt në Connecticut, që prej vitit 2009 dhe shërben si Kryetar i Komisionit të Pabarazisë Ekonomike në Dhomën e Përfaqësuesve.

Në fund të takimit, ai premtoi se si në të kaluarën, do te vazhdojë të ndihmojë Kosovën në Kongresin Amerikan.

Në fotografinë lart, në këmbë nga e majta: Gena Bajrami, Vehbi Bajrami, Ramiz Hoti, kongresisti Jim Himes, Hajriz Hoti, Halil (Elio) Ahmetaj dhe Rabe Ahmetaj. Ulur: fëmijët e Ramiz Hotit, Kosovari dhe Albana