SHBA e Rusia përballen për Ukrainën në KS të OKB-së

Nju Jork, 31 janar 2022 – Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po përballen të hënën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së rreth krizës në Ukrainë, në një seancë urgjente të kërkuar nga Uashingtoni për të diskutuar rreth grumbullimit të 100 mijë trupave ruse në kufirin ukrainas. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se Uashingtoni i konsideron veprimet e Moskës, “një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në botë”. Kremlini e quan takimin e së hënës “një manovër marrëdhëniesh publike”.

Këshilli i Sigurimit nuk ka pothuajse asnjë gjasë që të miratojë ndonjë qëndrim zyrtar, duke patur parasysh se Rusia ka të drejtë vetoje, si edhe lidhjet e saj me anëtare të tjera të përhershme, përfshirë Kinën.

Ambasadori i Kinës në OKB, tha të hënën se Pekini nuk e sheh grumbullimin e trupave ruse në kufi me Ukrainën si një kërcënim.

Por ngritja nga Shtetet e Bashkuara e çështjes së trupave ruse në forumin më të lartë të OKB-së, u jep mundësi të dyja palëve të përballen në një skenë globale në betejën mes tyre për opinionin ndërkombëtar.

Grumbullimi i mbi 100,000 trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën ka nxitur paralajmërime gjithnjë e më të forta nga Perëndimi se Moska mund të jetë duke u përgatitur të ndërhyjë.

Rusia ka kërkuar që NATO-ja të mos lejojë kurrë Ukrainën të anëtarësohet në aleancë, të ndalë vendosjen e armatimeve të NATO-s pranë kufijve rusë dhe të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore, kërkesa që janë hedhur poshtë zyrtarisht nga Uashingtoni dhe aleanca e NATO-s.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken nuk arritën ndonjë përparim në takimin që patën para disa ditësh në Gjenevë.

Ata pritet të zhvillojnë të martën një bisedë telefonike.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha të premten se “grumbullimi i forcave ruse mund të jetë një përpjekje e Moskës për të ushtruar trysni dhe “presion psikologjik”, si dhe të mbjellë panik.

Kryeministri britanik Boris Johnson pritet të vizitojë Ukrainën të martën dhe të hënën ai pritet të flasë me Presidentin Putin, për t’i bërë thirrje “të tërhiqet” nga planet që ka për Ukrainën, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zyra e kryeministrit britanik. Kryeministri Johson ka thënë se po shqyrton mundësinë e dërgimit të qindra ushtarëve britanikë në vendet e NATO-s në rajonin e Baltikut.

(Zëri i Amerikës)