SHBA feston sot 245 vjetorin e pavarësisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot, me 4 korrik, festojnë 245 vjetorin e pavarësisë.

Pavarësia e Shteteve të Bashkuara ishte shpallur në vitin 1776, kur 13 kolonitë në Amerikën e Veriut e shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar.

Dokumenti i Pavarësisë u ratifikua më 4 korrik 1776.

Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787, përshkruan bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë: ekzekutive, legjislative dhe juridike, pra Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

Dita e Pavarësisë në SHBA festohet me festime familjare dhe parada madhështore. Festimet mbyllen me shkrepjen e fishekzjarreve mahnitëse.

Dita e pavarësisë së SHBA-së festohet edhe në misionet diplomatike dhe misionet tjera amerikane kudo në botë. 

Me manifestime të ndryshme solemne shënohet edhe në shumë vende mike të SHBA-së në botë.