SHBA heq nga lista e zezë kompaninë e Zharko Vesellinoviqit nga Kroacia

Uashington,20 dhjetor 2021 – Departamenti amerikan i Thesarit hoqi nga lista e të sanksionuarve një kompani, për të cilën më herët tha se udhëhiqet nga Zharko Vesellinoviq, vëllai i biznesmenit Zvonko Vesellinoviq, nga veriu i Kosovës.

Informacioni u publikua të hënën në ueb-faqen e këtij institucioni.

Vëllezërit Vesellinoviq, nënkryetari i subjektit politik Lista Serbe në Kosovë, Millan Radoiçiq, dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta, më 8 dhjetor, u futën në listën e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Thesarit, nën akuzat se kanë lidhje me krimin e organizuar transnacional.

Përveç tyre, në listën e zezë u përfshinë edhe mbi njëzet kompani të tyre, me seli në Kosovë, Serbi, Kroaci dhe Bullgari.

Sipas deklaratës së lëshuar të hënën, Departamenti amerikan i Shtetit e hoqi nga lista e të sanksionuarve kompaninë “Nautikacentar D. O. O”, e cila udhëhiqet nga Zharko Vesellinoviq dhe është e regjistruar në Kroaci. Në deklaratë nuk jepen shpjegime shtesë për vendimin.

Kompania “Nautikacentar” është e regjistruar në Rijekë, qytet bregdetar në veriperëndim të Kroacisë.

Më 9 dhjetor, portali kroat “Jutarnji.hr” njoftoi se e ka kontaktuar pronarin e kompanisë “Nautikacentar”, Zharko Vesellinoviqin, i cili ka mohuar se ka lidhje me Zvonko Vesellinoviqin dhe se është i përfshirë në krim.

Vesellinoviq ka thënë se do të angazhojë një avokat, i cili do t’i kërkojë Ambasadës amerikane shpjegime se si ka ndodhur që emri i tij të përfundojë në listën e zezë të SHBA-së.

(REL)

Comment

*