SHBA ia dhuroi Kosovës 55 automjete ushtarake të blinduara

Prishtinë, 30 gusht 2021 – Të hënë në Prishtinë u ekspozuan 55 automjete ushtarake të blinduara që iu dhuruan Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e vlerësoi këtë si provë të thellimit të ndërveprimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës me forcat e vendeve aleate.

“Është ditë e veçantë për popullin e Kosovës, ngase SHBA-ja ua dhuron forcave tona 55 mjete ushtarake në vlerë të madhe që të thellohet ndërveprimi i ushtrisë sonë me forcat aleate”, tha Presidentja Osmani.

“Jam e lumtur që po jetësohet ëndrra jonë që ushtria jonë të ushtroj kapacitete operacionale”, shtoi ajo.

Presidentja Osmani falënderoi Presidentin e SHBA-së, Joe Biden, ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, qeverinë dhe ushtrinë amerikane për këtë dhuratë shumë me vlerë për mbrojtjen dhe sigurinë në Kosovë. Ajo tha se SHBA-ja po kujdeset që Kosova t’i zhvillojë kapacitetet e saj ushtarake.

“Dua t’u shpreh mirënjohjen e thellë të qytetarëve të Republikës së Kosovës presidentit të Shteteve të Bashkuara, Presidentit Biden, ambasadorit Kosnett, gjithë qeverisë amerikane, në veçanti ushtrisë së SHBA-së, por mbi të gjitha popullit amerikan, i cili po kujdeset që Kosova t’i zhvillojë kapacitetet e saj ndërvepruese ushtarake, krahas zhvillimit të jetës demokratike dhe funksionimit të mirëfilltë të institucioneve të vendit”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se automjetet që iu dhuruan FSK-së nga SHBA-ja janë të blinduara por janë të konstruktuasra për terrene të vështira.

“Këto pajisje të cilat janë karakteristikë për terrene të vështira dhe kanë rezistencë efikase ndaj goditjes së predhave, do t’u mundësojnë juve që veprimet tuaja në ruajtjen e paqes t’i zgjeroni e t’i shtrini gjithandej ku ju kërkohet”, tha presidentja Osmani.

Duke i uruar pjesëtarët e FSK-së, ajo shfaqi shpresën se Kosova të sigurojë së shpejti edhe helikopterë të cilët janë shumë të nevojshëm për operacione të ndryshme emergjencash.

“Shpresoj që faza e ardhshme të përfshijë edhe helikopterët shumë të nevojshëm, të cilët do të shërbejnë edhe për të shpëtuar jetë njerëzish në raste emergjencash dhe katastrofash natyrore”, tha Presidentja Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e vlerësoi mbështetjen e SHBA-së dhe partnerëve strategjikë të Kosovës për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Në rrugën e zhvillimit të ushtrisë sonë rol të rëndësishëm po luajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tjerë strategjik. Kjo mbështetje është vetëm një nga fushat ku Shtetet e Bashkuara  po ndihmojnë për sigurinë e vendit tonë”, tha Kurti.

Ai tha se Qeveria e Kosovës do të përditësojë politika mbrojtëse kompaktibile me NATO-n.

“Qeveria e Kosovës mbrojtjen e territorit e sheh si një interes vital shtetëror. Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë politikat e mbrojtjes, të përditësojmë kornizën ligjore dhe të ndërtojmë kapacitete operacionale të FSK-së në atë drejtim që të jenë të përputhshme dhe të ndërveprueshme me NATO-n, dhe me qëllim përafrimin dhe anëtarësimin në këtë organizatë”, theksoi Kurti.

”, theksoi Kurti.

“FSK-ja i ka aftësitë më të mëdha se sa mundësitë. Ne do të sigurojmë pajisje të tjera ushtarake, si këto pajisje moderne. Uroj që këto automjete të blinduara të përdorën në mënyrën më të mirë”, tha kryeministri Kurti.

Automjetet që Qeveria amerikane i ka dhuruar FSK-së janë të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

Prodhimi i këtyre automjeteve ushtarake ka filluar në vitet e 90-ta dhe ato përdoren gjerësisht në ushtrinë amerikane.

Kohë më parë, Kosova kishte blerë 51 automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja. Në vitin 2018 ishte nënshkruar kontrata ndërmjet kompanisë amerikane AM General dhe Qeverisë së Kosovës për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.

Pak kohë më parë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për blerjen e katër dronëve për nevoja të FSK-së,  me vlerë rreth 11 milionë euro.

(r.m.)

Comment

*