SHBA ia dhuroi Kosovës mbi 500 mijë vaksina kundër COVID-19

Prishtinë, 11 shkurt 2022 – Kosova ka pranuar të premten 515,970 doza të vaksinës “Pfizer”, që janë siguruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Kjo është hera e tretë që Shtetet e Bashkuara i dhurojnë Kosovës vaksina kundër COVID-19 duke e çuar sasinë e përgjithme të dhuruar në 1 milion e 54 mijë doza.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara, përveç vaksinave, kanë ndarë edhe rreth 10 milionë dollarë për të mbështetur Kosovën në luftën kundër COVID-19.

“Ky është dorëzimi i tretë i donacionit të vaksinave kundër Covid-19. Kjo e çon numrin e përgjithshëm të vaksinave të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për miqtë tanë në Kosovë në mbi 1 milion doza. Kjo i bën Shtetet e Bashkuara, donatorin më të madh bilateral në Kosovë të vaksinave kundër COVID-19 që nga fillimi i kësaj pandemie, dhe me këtë dorëzim shtesë tani, donacioni i Shteteve të Bashkuara është i mjaftueshëm për të vaksinuar 30% të gjithë popullsisë së Kosovës me të dyja dozat… Qeveria e Shteteve të Bashkuara gjithashtu ka dhuruar afro 10 milionë dollarë dhe ndihma të tjera për të mbështetur luftën e Kosovës kundër COVID-19. Përveç vaksinave, ne kemi kontribuar me pajisje mjekësore, asistencë teknike dhe mbështetje të tjera, duke përfshirë përpjekjet për të luftuar dezinformimin dhe për të rritur marrjen e vaksinave”, tha ai në ceremoninë e dorëzim-pranimit të vaksinave, në Prishtinë.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ta mbështesin Kosovën në luftën kundër pandemisë.

“SHBA-ja vazhdon të jetë e gatshme dhe e përkushtuar për të punuar me Qeverinë e Kosovës në luftën kundër COVID-19. Që të gjithë jemi së bashku në këtë luftë, ne jemi partneri juaj”, tha ambasadori Hovenier.

Shefja për Zhvillim të Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, tha se mbështetja për Kosovën do të vazhdojë.

“Ne besojmë se Kosova ka përfituar nga solidariteti i madh dhe ky ka qenë çelësi për suksesin e Kosovës në luftimin e pandemisë COVID-19. Nuk kemi mbaruar ende, prandaj bëjmë thirrje për rritje të solidaritetit. Këtë vit mund të jetë viti i fundit tëpandemisë COVID, por vetëm nëse përshpejtojmë solidaritetin”, u shpreh ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vlera e dhurimit shkon përtej vlerës materiale dhe se kjo e rikonfirmon miqësinë e fortë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

“Sikurse në vitin 1999, SHBA-të sërish u dëshmuan krahë nesh. Atëherë na shpëtuan nga vdekja prej luftës dhe sot na shpëtuan nga virusi COVID-19 dhe të gjitha variantet e tij nëpërmjet vaksinimit. Prandaj, i drejtohemi edhe njëherë nga këtu me falënderimin tonë nga zemra Presidentit Biden, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për këto dy kontigjente vaksinash që tashmë e kanë kaluar mbi 1 milion vaksina të cilat i janë dhënë donacion republikës sonë. Amerika është dhe do të mbetet mike dhe aleate e përhershme e Republikës së Kosovës”, tha Presidentja Osmani.

Ndërkaq, Kryeministri Kurti, duke falënderuar Shtetet e Bashkuara për këtë dhuratë, vuri theksin te nevoja e vaksinimit të qytetarëve.

“Përvojat nga valët e mëparshme dëshmojnë qartë se vaksinimi në masë është shumë më efikas nëse ndodh para ardhjes së një vale të re të infektimeve dhe se për t’u përgatitur për valën e ardhshme të virusit është e domosdoshme që të vazhdojmë të vaksinohemi sa më masivisht. Donacioni i sotëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes iniciativës COVAX, e bën të mundur vazhdimin e kësaj fushate”, tha Kurti.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi, falënderoi SHBA-në për këtë donacion. Ai theksoi se pandemia zbuloi edhe vlerat e mëdha njerëzore – solidaritetin mes popujve dhe shteteve.

“Dita e sotme është një moment i rëndësishëm për të rikujtuar se përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të mëdha që pandemia COVID-19 u ka shkaktuar popujve anembanë botës, kanë zbuluar edhe vlerat më të mëdha që kanë popujt, siç janë solidariteti dhe mbështetja në njëri-tjetrin, duke krijuar një aleancë të fuqishme njerëzore. Një aleancë e tillë është edhe kjo e organizuar përmes mekanizmit COVAX, që e ka bërë luftën tonë kundër COVID-19 definitivisht më të lehtë”, tha ai.

Latifi tha se mbi 57 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të vaksinuar me të dy dozat.

“Për dhjetë muaj, prej fillimit të vaksinimit në Kosovë janë dhënë mbi 1,8 milionë vaksina. Rreth 63 për qind e popullatës tonë e moshës mbi 12-vjeçare kanë marrë nga një dozë të vaksinës kundër COVID-19. Dhe 57 përqind të dy dozat. Ky është një numër jashtëzakonisht i madh. Doza e tretë është shumë inkurajuese dhe duhet të shtohet edhe më shumë. E gjithë kjo punë e madhe është bërë falë përkrahjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partnerëve evropianë, familjes së Kombeve të Bashkuara duke futur këtu UNICEF-in dhe OBSh-në e të tjerët”, tha ai.

Ministri Latifi tha se vetëm përmes vaksinimit, Kosova mund t’i kthehet plotësisht normalitetit, andaj u bëri thirrje qytetarëve që të imunizohen kundër koronavirusit.

(r.m.)