SHBA-ja e dënon aksionin e Policisë së Kosovë në veri

Prishtinë, 26 maj 2023 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e kanë dënuar aksionin e Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, nëpërmjet një postimi në Twitter, ka bërë thirrje që masat e shunshme të ndërpriten menjëherë.

“SHBA-ja dënon aksionin e ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për t’iu qasur objekteve komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, ka shkruar Hovenier.

Në tri komunat veriore me shumicë serbe – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin potok, sot pati përplasje të forta të grupeve të dhunshme të qytetarëve serbë me policinë e Kosovës.

Policia u angazhua për krijimin e kushteve që kryetarët e rinj të këtyre komunave të hyjnë në ndërtesat komunale dhe të fillojnë të ushtrojnë fumnksionet e tyre, por grupe të serbëve përdorën edhe mjete të ndryshme dhune për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj.

Gjatë përplasjes me policinë, serbët kanë lënduar 5 pjesëtarë të policisë dhe kanë dëmtuar katër automjete policore, përfshirë edhe një automjet të djegur.

Gjatë përplasjes janë dëgjuar edhe të shtëna armësh, por nuk ka raportime për të lënduar.

(r.m.)