SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t’i përmbahen marrëveshjes së Uashingtonit

Uashington, 30 qershor 2021 – Shtetet e Bashkuara presin që Kosova dhe Serbia tiu përmbahen zotimeve të bëra në Uashington, më 4 shtator 2020.

“Shpresojmë që partnerët tanë të veprojnë me mirëbesim dhe të vazhdojnë t’iu përmbahen detyrimeve të marra përsipër në Uashington”, thuhet në një përgjigje të Departamentit Amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, citon Radio Evropa e Lirë.

“Zbatimi i marrëveshjes së Uashingtonit krijon një bazë për marrëveshjet e ardhshme dhe ofron mundësi për bashkëpunim më të gjerë midis palëve. Detyrimet e marra veçse sjellin përfitime për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës dhe ne i inkurajojmë ata që të vazhdojnë me zbatimin e tyre”, thuhet më tutje në përgjigjen e Departamentit të Shtetit.

Kosova dhe Serbia, më 4 shtator 2020, kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Marrëveshja ishte nënshkruar mes ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja, ndër të tjera, parasheh angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore. Sipas marrëveshjes, Kosova obligohet të bëhet pjesë e një iniciative për lëvizjen pa pasaporta dhe detyrime tarifore, që do ta përfshijë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur të mërkurën pas mbledhjes së qeverisë për zbatimin e saj, ka minimizuar pikat tjera të Marrëveshjes së Uashingtonit, duke thënë se “pika më e rëndësishme e saj është ajo e fundit, e cila tashmë është realizuar”.

Fjala është për njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit.

Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar javën e kaluar, Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Ky studim shënon përmbushjen e një prej angazhimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit.

Raporti propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër, që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Ujmani është një liqen artificial, i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është detyrë e institucioneve që Liqenin e Ujmanit ta konsiderojnë si liqen artificial të Kosovës.

“Qëndrimet tona në lidhje me Ujmanin janë të njëjta”, tha Kurti në një konferencë për media, të mërkurën, më 30 qershor.

“Mund të prodhohen analiza e studime, por është detyrë e jona që ta konsiderojmë Liqenin e Ujmanit ashtu siç është, liqen artificial i Kosovës”, shtoi ai.

“Atë (Liqenin) e kemi paguar edhe kryer shumë dekada më parë”, theksoi Kurti.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, në një postim në rrjetin social, Facebook, javën e kaluar, ka shkruar se qeveria duhet të kujdeset për realizimin e projekteve që burojnë nga Marrëveshja e Uashingtonit.

“Administrata e Presidentit Biden e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje, sepse është në përputhje me interesat e përbashkëta të SHBA-së dhe Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Liqeni i Ujmanit është ndërtuar në vitin 1972, me një kredi prej 45 milionë dollarësh amerikanë, që ishte marrë nga Banka Botërore. Kjo marrëveshje ishte ratifikuar atëherë nga Kuvendi i Krahinor i Kosovës dhe nga Kuvendi Federativ i Jugosllavisë.

Serbia insiston se ka trashëguar borxhin e ish Jugosllavisë, prandaj pretendon se ka të drejtë në pronësi.

(r.m.)

Comment

*