SHBA: Kosova dhe Serbia të ulin tensionet

Prishtinë, 21 shtator 2021 – Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar thirrjeve të Bashkimit Evropian drejtuar Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet  e njëanshme dhe tëulin tensionet midis tyre.

Thirrja vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për target e automjeteve, i cili shkaktoi reagimin e serbëve.

“I bashkohemi BE-së në thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga veprimet e mëtejme të njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë, pa asnjë vonesë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Më herët zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se të dyja palët duhet të punojnë në krijimin e një atmosfere që do të ndihmonte lirinë e lëvizjes dhe uljen e tensioneve.

Të hënën, më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.

Qeveria tha se reciprociteti nuk është vendosur kundër serbëve të Kosovë, por është imponuar nga Serbia.

Por, serbët janë grumbulluar në afërsi të pikave kufitare në veri të Kosovës,në Jarinje dhe në Bërnjakë i kanë bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie.

(r.m.)