SHBA kreu një sulm ndaj një objektivi të Shtetit Islamik në Kabul

Kabul, 29 gusht 2021 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer të dielën një sulm me dron në Kabul, ku është goditur një veturë që po bartte militantë të Shtetit Islamik.

“Forcat e ushtrisë amerikane kanë kryer një sulm me dron sot mbi një veturë në Kabul, duke eliminuar kërcënimin nga IS-K” për në aeroport, ka thënë Bill Urban, zëdhënës i Komandës Qendrore të SHBA-së.

Ai ka thënë se në veturën që ishte nisur drejt aeroportit të Kabulit gjendeshin sulmues vetëvrasës që kishin qëllim të kryenin sulme në zonën e aeroportit.

“Shpërthimet e mëdha dytësore nga vetura lanë të kuptohet se ka pasur prani të një sasie të konsiderueshme të materialit shpërthyes”, ka thënë Urban.

Ai kathënë se nuk ka indikacione se gjatë sulmit ndaj veturës së militantëve të Shtetit  Islamik ka pasur viktima nga civilët.

Ndërkohë ka pasur raportime për një shpërthim tjetër në një shtëpi në afërsi të aeroportit, por ende nuk është e qartë nëse këto dy shpërthime janë të lidhura.

Rashid, shefi i policisë në Kabul, tha se raketa goditi në lagjen Khuëja Bughra të kryeqytetit afgan.Ai tha se në këtë shpërthim është vrarë një fëmijë.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë e këtij sulmi, deri më tani.

Një burim nga Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se një raketë e ka goditur një shtëpi. Dy dëshmitarë i kanë thënë agjencisë Reuters se shpërthimi duket se ka ndodhur pasi një shtëpi është goditur nga një raketë.

Shpërthimi ka ndodhur në kohën që forcat amerikane janë në fazën e fundit të tërheqjes nga Kabuli. Në Aeroportin e Kabulit gjenden mbi 1.000 civilë afganë, të cilët po presin të largohen nga vendi para se të largohen trupat amerikane.

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se do t’i përmbahet afatit të 31 gushtit për tërheqjen e të gjithë trupave nga Afganistani.

(r.m.)

Comment

*