SHBA mbështet dialogun Kosovë-Serbi, Kosnett tregon çka biseduan me Kurtin dhe Palmerin

Prishtinë, 27 prill 2021 – Ambasadori i SHBA’së në Prishtinë, Philip Kosnett, përmes një njoftimi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, ka njoftuar se ai dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë kanë zhvilluar një takim online me Përfaqësuesin Special të Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ku kanë diskutuar për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kosnett ka thënë se këto bisedime kanë qenë productive dhe ka  theksuar se dialogu mes Kosovës e Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është qenësor për zhvillimin ekonomih dhe për procesin e integrimeve të Kosovës.

“Mbrëmë patëm një diskutim të gjerë, dhe produktiv me kryeministrin AlbinKurti dhe Matt Palmer të Departamentit të Shtetit.Procesi i dialogut i udhëhequr nga BE mbetet thelbësor për suksesin ekonomik të Kosovës dhe integrimin Euro-Atlantik”, ka shkruar Kosnett.

Për dialogun Kosovë-Serbi mbrëmë kanë diskutuar edhe presidentja Vjosa Osmani me zyrtarin amerikan Philip Reeker. Reeker ka thënë se palët duhet tregohen konstruktive në dialogun që duhet të përfundojë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes.

Ndërkaq, Departamenti i Shtetit Amerikan sot ka lëshuar një komunikatë për media, ku flitet për dialogun Kosovë-Serbi dhe  për përkrahjen amerikane të këtij procesi që Uashingtoni pret të përfundojë me njohje reciproke.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin punën drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të detyrueshme, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke, e cila krijon bazat për një bashkëpunim dhe prosperitet të qëndrueshëm. Ne e mbështesim Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe I inkurajojmë palët që të angazhohen përsëri në këtë proces, me një ndjenjë urgjence, për të adresuar çështje teknike dhe politike. Ne do të punojmë me Serbinë dhe Kosovën për të zbatuar zotimet e tyre në Uashington, në mbështetje të qëllimit për normalizim të plotë”, thuhet në komunikatën e Departamentit të Shtetit Amerikan.

(r.m.)