SHBA, NATO: Rusia po shton numrin e trupave pranë kufirit me Ukrainën

Uashington / Bruksel, 17 shkurt 2022 – Ndryshe nga njoftimet ruse për tërheqjen e disa prej 150 mijë trupave të saj të grumbulluar pranë kufirit me Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe NATO thonë se Moska e ka shtuar numrin e trupave me rreth 7 mijë. Në ditën e dytë të vizitës së tij në Bruksel, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Llyd Austin tha se ende ka kohë për një zgjidhje diplomatike të krizës, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu shqetësimin se Rusia mund të jetë duke kërkuar pretekst për të sulmuar Ukraininë. Materiali në vazhdim na sjell më shumë hollësi rreth krizës që vazhdon të thellohet midis Rusisë dhe Perëndimit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se ende ka kohë dhe hapësirë për zgjidhje diplomatike, ndërsa tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit vazhdojnë të rriten.

Deklarata e zotit Austin vjen pas akuzave të aleancës së NATO-s se Rusia po mashtron duke thënë se po rikthen në baza disa prej rreth 150 mijë trupave të saj të grumbulluar në afërsi të kufirit me Ukrainën.

“Përkundrazi, ne po shohim se Rusia po shton numrin e trupave të grumbulluar përgjatë kufirit, edhe gjatë dy ditëve të fundit. Ne i shohim disa prej këtyre trupave teksa afrohen më pranë kufirit, po shohim më shumë avionë lufte dhe të tjerë mbështetës teksa fluturojnë në atë zonë, po shohim rritje të gatishmërisë së tyre pranë Detit të Zi”, tha zoti Austin në një konferencë në ditën e dytë të vizitës së tij në Bruksel.

Sipas zyrtarëve të NATO-s, ditëve të fundit Rusia ka shtuar rreth 7 mijë trupa përreth Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s shprehet i shqetësuar se Moska mund të jetë në kërkim të një arsyeje për të sulmuar Ukrainën.

“Ne jemi të shqetësuar se Rusia po përpiqet të krijojë një pretekst për të nisur një sulm kundër Ukrainës. Ende nuk janë të qarta qëllimet e Rusisë. Nuk dimë se çfarë do të ndodhë, por ajo që dimë është se Rusia ka grumbulluar forcën më të madhe që kemi parë në Evropë për dekada”, tha zoti Stoltenberg.

Këtë koment ai e bëri në përgjigje të pyetjes rreth raportimeve se përgjatë vijës që ndan forcat ukrainase nga separatistët pro-rusë në rajonin e Donbasit në Ukrainën Lindore, është thyer armëpushimi. Palët akuzojnë njëra-tjetrën për bombardime intensive.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të enjten se veçanërisht në këtë periudhë krize duhet treguar unitet trans-atlantik dhe bashkëpunim i fortë midis Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Ne qëndrojmë pranë Ukrainës, ne jemi kundër rikthimit të ndikimit në Evropë përmes këtyre mjeteve”, tha zoti Borell gjatë një diskutimi me vendet anëtare të NATO-s në Bruksel.

Ndërkohë po në Bruksel, udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u takuan në një samit për të diskutuar këtë krizë.

Kremlini tha të enjten se duhet kohë për tërheqjen e trupave që kanë përfunduar manovrat ushtarake në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Zyrtarët rusë kanë përsëritur disa herë këtë javë qëndrimin se një numër i trupave të saj pranë kufirit me Ukrainën janë rikthyer në baza, por nuk kanë dhënë hollësi që do të konfirmonin këto pohime.

Rusia mohon se është duke planifikuar të sulmojë fqinjin e saj, por thotë se ka të drejtë të vendosë trupa kudo që e sheh të nevojshme për t’u mbrojtur nga kërcënimet e NATO-s.

Moska kërkon nga Perëndimi të garantojë se nuk do të lejohet anëtarësimi i Ukrainës dhe vendeve tjera ish-sovietike në NATO, të ndalojë dislokimin e armëve pranë kufijve rusë dhe të tërheqë trupat nga Evropa Lindore, kërkesa këto që janë hedhur poshtë nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO.

(Zëri i Amerikës)