SHBA ndan 3.8 milionë dollarë shtesë për Kosovën

Prishtinë, 25 gusht 2021 – Kosova ka nënshkruar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes së cilës përfiton ndihmë financiare shtesë prej 3.8 milionë dollarësh.

Marrëveshja është nënshkruar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe drejtorja e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Zeinah Salahi.

Zyra e Presidentes Osmani bën të ditur se kjo marrëveshje ishte nënshkruar në nëntor të vitit 2020, me të cilën Kosova i ka përfituar 33 milion dollarë nga USAID-i.  Në maj të këtij viti, u nënshkrua amendamenti 1 i marrëveshjes, që ia siguroi Kosovës 1.6 milion dollarë shtesë,kurse me amendamentin 2, që u nënshkrua sot, Kosova i përfiton edhe 3.8 milion dollarë të tjera, duke e çuar në 38.4 milion dollarë shumën totale të marrëveshjes.

“Me këtë marrëveshje synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike. Objektivi i parë zhvillimor i marrëveshjes përqendrohet në mbikëqyrjen e institucioneve nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa i dyti adopton një qasje më të gjerë ndaj pjesëmarrjes demokratike”,  thuhet në njoftim.

“Me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës”, thuhet më tutje në njoftim.

Presidentja Osmani ka falënderuar për mbështetjen drejtoren e re të USAID në Kosovë, zonjën Zeinah Salahi dhe, njëkohësisht, e ka uruar për detyrën.

Zonja Osmani e ka vlerësuar kontribuin e USAID-it për mbështetjen që ka dhënë për zhvillimin e Kosovӕs. Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e fuqishme që kadhënë SHBA përKosovën.

(r.m.)

Comment

*