SHBA: Një oficer policie vdes pas një sulmi me automjet pranë Kapitolit

Një person përplasi një makinë në një barrikadë pranë Kapitolit të Shteteve të Bashkuara të premten pasdite, duke plagosur dy oficerë të Policisë së Kapitolit, njëri prej të cilëve më pas vdiq nga plagët, tha policia e Kapitolit.

Autori i sulmit u qëllua dhe më pas vdiq.

Yogananda Pittman, shefe në detyrë e policisë së Kapitolit konfirmoi para gazetarëve vdekjen e njërit prej oficerëve të policisë.

Policia e Kapitolit më pas e identifikoi oficerin e vrarë si William “Billy” Evans, një veteran 18-vjeçar i forcës së policisë së Kapitolit.

Shefja e policisë Pittman tha se “hetimi është ende në fazat fillestare” dhe se deri tani nuk njihet motivi për sulmin.

“Nuk duket se ka të bëjë me terrorizëm, por padyshim që ne do të vazhdojmë të hetojmë,” tha Robert Contee, shefi i Departamentit të Policisë Metropolitane të Uashingtonit.

Shefja e policisë tha se autori doli nga automjeti me një thikë në dorë.

Të dy oficerët e Policisë së Kapitollit ishin dërguar në spital, para se policia të konfirmonte se njëri prej tyre kishte vdekur. I dyshuari vdiq në spital.

Presidenti Joe Biden tha se ai ishte tepër i trishtuar nga sulmi dhe dha urdhër që flamujt në Shtëpinë e Bardhë të uleshin në gjysmë shtizë. Në një deklaratë, ai tha se po informohej për hetimin.

Gazeta Washington Post, duke cituar burime anonime që ishin në dijeni të hetimit, e identifikoi të dyshuarin si Noah Green dhe njoftoi se sipas njërit prej burimeve të gazetës, Green kishte një adresë në Virxhinia. Policia nuk e ka identifikuar të dyshuarin.

Policia e Kapitolit thotë se ngjarja ndodhi tek një pikë kontrolli pranë Kapitolit, ndërsa Kongresi nuk është në sesion. Incidenti vjen ndërsa zona e Uashingtonit vazhdon të jetë në gatishmëri, gati tre muaj pasi një turmë protestuesish të armatosur sulmoi Kapitolin ndërsa Kongresi po votonte për të konfirmuar fitoren e presidentit aktual Joe Biden.

Policia falenderoi Gardën e cila dërgoi një forcë të ndërhyrjes së shpejtë që shkoi menjëherë në ndihmë të policisë së Kapitolit.

Megjithëse nuk kishte ndonjë lidhje të menjëhershme midis 6 janarit dhe të premtes, incidenti nxjerr në pah se kompleksi mbetet objektiv i mundshëm për dhunë.

Pika e kontrollit të sigurisë ku ndodhi ngjarja përdoret zakonisht nga senatorët dhe personeli gjatë ditëve të javës, por ligjvënësit janë me pushime.

Barrierat që pengonin trafikun e automjeteve pranë asaj zone u hoqën së fundmi, pasi Kapitoli filloi të rihapej pas trazirave të 6 janarit. (VOA)

Comment

*