SHBA nuk bashkëpunon me Berishën

Ambasadorja Yuri Kim: Nuk bisedojmë me të shpallurit non grata. Një PD me ish kryeministrin Sali Berisha në krye do ta fuste këtë parti në një raport të vështirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë një interviste për Top Channel, ambasadorja amerikane Yuri Kim u tregua e drejtpërdrejtë duke kujtuar shpalljen non grata të Berishës.

Top Channel: Çfarë ndodh në marrëdhënien tuaj me PD nëse ish-kryeministri Sali Berisha merr drejtimin e saj?

Ambasadorja Yuri Kim: Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur.

Mesazhi tjetër është për lidershipin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Top Channel: A e mbështet SHBA kryetarin e PD, Lulzim Basha?

Ambasadorja Yuri Kim: Njohim personin e zgjedhur rregullisht si Kryetar i asaj Partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj Z. Basha në cilësinë e tij si Kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë.

Vendimi i amerikanëve  solli përplasjen e fortë ne PD, por sipas  diplomates Yuri Kim ky proces nuk ka lidhje me një parti të veçantë.

Ambasadorja Yuri Kim: E di që ka disa teori konspirative sikur kjo vë në shënjestër një krah apo tjetrin. Do vija në dukje që deri më sot janë katër persona që janë shpallur nga Sekretari i Shtetit, besoj nga 2018.

Dhe shumica e tyre nuk janë me Partinë Demokratike, pra, partia s’ka fare të bëjë me këtë. Ne shohim faktet; e gjitha kalon në një proces shumëvjeçar zakonisht, ku shqyrtojmë të gjithë informacionin. Vendimmarrësit bëjnë më shumë pyetje dhe në çastin kur vendimi arrin në tryezën e Sekretarit të Shtetit, pavarësisht kush është, ne jemi 100 përqind të sigurt. Ndaj, nëse pyetja tjetër e juaja do të jetë “A do ketë shpallje të tjera?”, të shohim, besoj se do të ketë dhe ne do të vazhdojmë të tregojmë me gisht ata që përfshihen në korrupsion, ata që minojnë demokracinë dhe këtë vend, të cilin e konsiderojmë mik të ngushtë. Nuk do t’ju braktisim.

Top Channel: A do të kemi shpallej të tjera non-grata? A do të përfshihen edhe ndëshkimet nga Departamenti i Thesarit?

Ambasadorja Yuri Kim: Kemi një numër mjetesh në dispozicion të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara – shpalljet nga Departamenti i Shtetit, shpalljet nga Departamenti i Thesarit, si dhe të tjera. Ndaj, të shohim. Është proces shumë i mbyllur, pra shumë konfidencial dhe nuk kam ndonjë informacion që mund ta ndaj me ju këtë moment.

Nga ana tjetër, kur palët nuk kanë rënë dakord për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut, ambasadorja amerikane u tregua diskrete.

Top Channel: Mendimi juaj për punën e organeve të vetingut si dhe mandatin e tyre?

Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj që është në proces diskutimi ndaj nuk do them më shumë. Mendoj se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për këtë çështje është i qartë.

Top Channel