SHBA organizon bisedime për Ukrainën në Gjermani

Ramstein (Gjermani), 26 prill 2022 – Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha sot se presidenti rus Vladimir Putin “kurrë nuk e kishte imagjinuar që e gjithë bota do të bashkohej me kaq shpejtësi dhe siguri pas Ukrainës”. Këto komente ai i bëri në Gjermani gjatë një takimi me zyrtarë të më shumë se 40 vendeve për të koordinuar më tej ndihmat e sigurisë për Ukrainën.

Në hapje të bisedimeve në bazën ajrore amerikane në Gjermani, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se qëllimi është që të ndihmohet Ukraina të fitojë luftën kundër sulmit të padrejtë të Rusisë dhe të ndihmojë Kievin në sfidat e së nesërmes.

“Kemi shumë më tepër të bërë. Ukrainës i duhet ndihma për ta fituar luftën sot dhe do t’i duhet ndihma jonë kur lufta të përfundojë”, tha ai.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin shprehu zotimin se aleatët e Ukrainës do të vazhdojnë angazhimin për të përmbushur nevojat e sigurisë së Kievit, ndërsa lufta me Rusinë hyn në një faze të re.

“E kuptojmë barrën që keni mbi supe. Duhet ta dini se të gjithë jemi pas jush, prandaj jemi mbledhur këtu – për të forcuar arsenalin e demokracisë ukrainase”, tha zoti Austin.

“Ukraina beson qartë se mund të fitojë dhe kështu besojmë të gjithë këtu”, tha Sekretari Austin ndërsa shtoi se kjo mbledhje pasqyron botën që është vënë në veprim kundër sulmit të Rusisë, me mbi 40 aleatë dhe partnerë që iu bashkuan Shteteve të Bashkuara në dërgimin e ndihmave dhe pajisjeve ushtarake për Ukrainën me vlerë prej mbi 5 miliardë dollarësh.

Ky takim pason vizitën e zotit Austin, së bashku me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Kiev, vizita e nivelit më të lartë amerkan që kur filloi agresioni rus në Ukrainë.

Por, analistët thonë se kjo vizitë ngeli prapa udhëheqësve evropianë.

“Disa vende evropiane kanë rikthyer ambasadat e tyre në Kiev. Në një botë ideale, Amerika do të duhej t’u printe këtyre përpjekjeve, në vend që të jetë ambasada e parë që tërhiqet nga Ukraina, sikur edhe ndodhi para fillimit të konfliktit dhe të jetë e fundit që rikthehet”, thotë Dalibor Rohac nga Instituti Amerikan Enterprise.

Uashingtoni njoftoi se diplomatët amerikanë do të kthehen në Ukrainë këtë javë, fillimisht përmes udhëtimeve ditore nga Polonia për në qytetin perëndimor ukrainas, Lviv.

Disa analistë e shohin këtë vendim si një lëvizje të rëndësishme.

“Një nga gjërat thelbësore që doli nga kjo vizitë është fakti se Shtetet e Bashkuara treguan se po përgatiten të dërgojnë diplomatë në Ukrainë. Edhe për kohë të shkurtër, dërgimi i diplomatëve në misione gjatë natës, udhëtimet për të krijuar një konsullatë në Lviv, janë shfaqje të mbështetjes për qeverinë dhe popullin ukrainas”, thotë Andrew Lohsen, Qendra për Studine Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov akuzoi sot NATO-n, se përmes Ukrainës, ka hyrë në luftë me Rusinë.

Kryediplomati rus sërish përmendi rrezikun e shpërthimit të një lufte bërthamore.

“Rreziku është serioz dhe i mundshëm. Nuk duhet të nënvlerësohet”, tha ai.

Sekretarët Blinken dhe Austin premtuan në Kiev ndihmë të re ushtarake prej 713 milionë dollarësh për Ukrainën dhe vende të tjera aleate e partnere. Mbi 300 milionë dollarë janë caktuar për vetë Ukrainën, ndërsa 400 milionë dollarë financime janë për 15 vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Lindore, përfshirë Ballkanin.

(Zëri i Amerikës)