SHBA, OSBE: Zgjedhjet mbaruan, palët të punojnë me konstruktivitet

Diplomati i SHBA-së në OSBE vlerëson zgjedhjet e 23 qershorit. Ambasadori Kelly: Reformat për në BE të bëhen në rrugë konsensuale

 

Aristir Lumezi

Ambasadori i SHBA-së në OSBE, Ian Kelly, duke vlerësuar zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri i kërkon qeverisë së re të forcojë shtetin ligjor dhe të rrisë standardet e të drejtave të njeriut. Gjatë fjalës së tij përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, ambasadori Kelly tha se “Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive për të çuar përpara zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë”. SHBA përmes ambasadorit Kelly nxisin qeverinë e re që të vazhdojë të forcojë shtetin ligjor, të rrisë standardet e të drejtave të njeriut, të promovojë qeverisje transparente dhe llogaridhënëse, të promovojë zhvillimin ekonomik dhe të punojë drejt reformash të qëndrueshme demokratike në rrugën konsensuale të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
FJALA E PLOTE E AMBASADORIT IAN KELLY
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzojmë qytetarët e Shqipërisë për pjesëmarrjen e tyre paqësore dhe aktive në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Anembanë vendit, qytetarët shqiptarë morën pjesë masivisht për të ushtruar atë që e konsiderojmë të drejtën demokratike më bazike – të drejtën e votës.
Mbështesim misionin e vëzhgimit zgjedhor të OSBE/ODIHR si dhe vlerësimin e përbashkët nga ODIHR, Asambleja parlamentare e OSBE-së, dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, të cilët vlerësuan se qytetarët shqiptarë kanë shprehur lirisht vullnetin e tyre në kutinë e votimit. Nxisim autoritetet që të finalizojnë numërimin dhe të trajtojnë çdo ankimim në mënyrë transparente, të shpejtë dhe në përputhje me shtetin ligjor.
Tani që populli i Shqipërisë ka bërë të dëgjohet zëri i tij, Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive për të çuar përpara zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë. Puna e vështirë e ndërtimit të demokracisë nuk mbaron pasi numërohen votat dhe shpallen fituesit. Udhëheqësit politikë do të gjykohen jo nga ajo që thonë, por nga ajo që bëjnë. Pas formimit, nxisim qeverinë e re që të vazhdojë të forcojë shtetin ligjor, të rrisë standardet e të drejtave të njeriut, të promovojë qeverisje transparente dhe llogaridhënëse, të promovojë zhvillimin ekonomik dhe të punojë drejt reformash të qëndrueshme demokratike në rrugën konsensuale të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ky është një proces i cili, ashtu si përpara këtyre zgjedhjeve, do të kërkojë që edhe ata në opozitë të luajnë një rol konstruktiv, dhe ne kërkojmë angazhimin e tyre edhe në të ardhmen e Shqipërisë.
Bashkohemi me Bashkimin Europian për të mirëpritur bashkëpunimin konstruktiv midis Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR dhe Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Asamblesë Parlamentare të OSBE gjatë këtyre zgjedhjeve në Shqipëri, dhe shprehim shpresën tonë që kjo qasje pozitive do të shërbejë si themel mbi të cilin të rinovohen angazhimet e shprehura në Vendimin 19/06 të Këshillit Ministerial dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit të vitit 1997.
Wolfarth
Dje, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, në një pritje me rastin e përfundimit të mandatit të tij 3 vjeçar në Shqipëri, vlerësoi procesin e zgjedhjeve. Ai e quajti të përmbushur misionin e tij në Shqipëri, pasi siç nënvizoi ai, procesi zgjedhor ishte i qetë dhe u pranua nga të gjitha palët. Kjo sipas ambasadorit, vlen të përgëzohet dhe e ngre Shqipërinë në një shkallë më të lartë dinjiteti. “Do doja që në prani të të ftuarve të thosha që jam shumë i emocionuar, puna jonë është bazuar tek puna në ekip dhe bëhet për Shqipërinë, për të ardhmen e saj. Misioni im është i përmbushur, pavarësisht mosmarrëveshjeve politike zgjedhjet prodhuan një rezultat të qartë dhe të pranueshëm dhe duhet përgëzuar mënyra e pranimit. Më gëzon fakti që Shqipëria është në një fazë të re, në një shkallë më të lartë dinjiteti”, tha ai. Ambasadori tha para të ftuarve se misioni i tij do të vazhdojë në një vend tjetër siç është Kuvajti.