SHBA pas zhbllokimit të pikave kufitare në veri: Koha për t’iu rikthyer dialogut

Prishtinë, 2 tetor 2021 – I ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe e quajti “përparim të mirë nga Kosova dhe Serbia” zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për zhbllokimin e dy pikave kufitare në veri të Kosovës.

“Progres i mirë nga Kosova dhe Serbia pas implementimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja në kufi. Prezenca e përkohshme e KFOR-it, për dy javë ne presim që funksionimi i kufirit të kthehet në normalitet. Koha që të ecet përpara në këtë momentum dhe të rikthehet seriozisht dialogu”, ka shkruar Giacobbe në Twitter.

Të shtunën, më 2 tetor, janë zhbllokuar dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Në rrugët që çojnë te këto dy pika nuk ka më kamionë të protestuesve dhe nga aty është larguar edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Pjesëtarët e KFOR-it e kanë marrë kontrollin në këto dy lokacione.

Këto dy pika kufitare ishin bllokuar nga serbët lokalë prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës mori vendim për zbatimin e masës së reciprocitetit në targat e automjeteve të regjistruara në Serbi.

Më 30 shtator, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në takimin e mbajtur me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, në Bruksel, kanë arritur një marrëveshje për çështjen e targave dhe për zhbllokimin e situatës në veri.

Në një komunikatë për media, KFOR-i njoftoi se ky mision do të jetë prezent në këtë zone dy javët e ardhshme.

(r.m.)