SHBA: Priten ndryshime të mëdha në trajtimin e kërkesave për strehim politik në kufi

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Personat e huaj që kapen nga autoritetet e emigracionit ndërsa përpiqen të hyjnë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara zakonisht i nënshtrohen një proçesi dëbimi të përshpejtuar dhe të efektshëm. Në një proçes të tillë nuk ka seanca dëgjimore me një gjykatës emigracioni dhe as mundësi për të rishikuar vendimin administrativ sipas të cilit individi duhet të deportohet.

Proçesi i deportimit

Zakonisht, kur Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) kërkon të dëbojë dikë që gjendet në Shtetet e Bashkuara, nis një proçes deportimi që drejtohet nga një gjykatës emigracioni. Gjatë këtyre proçedurave “zyrtare” të dëbimit nga vendi, personi në proçes gëzon të drejtën të marrë – me shpenzimet e tij ose të saj – një avokat emigracioni, të drejtën për të paraqitur një kërkesë për të mos u dëbuar (si p.sh. kërkesa për strehim politik), të drejtën për të dëshmuar vetë si dhe për të paraqitur dokumenta në mbështetje të dëshmisë në fjalë si dhe të drejtën për apelim të vendimit (i cili ia ka hedhur poshtë kërkesën) përpara bordit të apelit që merret me çështjet e emigracionit (BIA).

Proçesi i përshpejtuar i deportimit

Ligjet e emigracionit të SHBA-së parashikojnë një proçes deportimi të posaçëm për personat që nuk janë pranuar në Shtetet e Bashkuara. Ky proçes ndryshon shumë nga proçesi i rregullt i deportimit. Sipas proçesit të përshpejtuar të dëbimit personi që mbërrin në një pikë hyrëse apo në kufirin me SHBA-në dhe nuk është i pajisur me dokumenta të rregullta hyrjeje ose ka tentuar të hyjë nëpërmjet mashtrimit, do të dëbohet nga Shtetet e Bashkuara pa gëzuar të drejtën e një seance dëgjimore apo të një rishikimi të mëtejshëm të vendimit. Dëbimi i formës së përshpejtuar ofron shumë më pak mbrojtje proçeduriale sesa proçesi i rregullt i deportimit. Personi nuk gëzon të drejtën që të marrë avokat, të drejtën e një seance dëgjimore si dhe të drejtën për ankim pranë BIA-s në rast të një vendimi për t’u dëbuar. Sipas ligjit, personi në fjalë “duhet të mbahet në arrest” gjatë kohës që është në pritje të proçesit të përshpejtuar të dëbimit. Është në diskrecionin e DHS-së që t’i lejojë ose jo dikujt që është në proçes dëbimi të përshpejtuar të hyjë fizikisht në Shtetet e Bashkuara dhe të presë aty derisa të vendoset nëse ai ose ajo duhen pranuar në SHBA.  Nëse gjatë intervistës, personi që është në proçes të përshpejtuar deportimi arrin të tregojë që frika që ka se do të persekutohet apo torturohet [po të kthehet në vendin nga ka ardhur] është frikë reale, atëherë atij ose asaj i jepet e drejta e një proçesi të rregullt deportimi si dhe i lejohet të paraqesë kërkesë të rregullt për strehim politik. Nëse personi nuk arrin të tregojë që frika se do të persekutohet dhe torturohet është reale, ai ose ajo mund të kërkojnë gjithsesi që vendimi refuzues i dhënë nga zyrtari që merret me çështjet e azilit politik të shqyrtohet nga një gjykatës emigracioni. 

Rregullat e reja lidhur me proçesin e përshpejtuar të dëbimit

Më 24 mars, 2022 DHS-ja dhe Deparatmenti i Drejtësisë (DOJ) nxorrën një rregullore për përshpejtimin e proçedurave që lidhen me kërkesat për strehim politik të paraqitura nga të huaj që janë në proçes dëbimi të përshpejtuar, në mënyrë që ata të cilët kualifikohen për të marrë strehim politik ta marrin shpejt, kurse ata që nuk kualifikohen të dëbohen menjëherë nga SHBA-ja. Rregullorja e re i autorizon zyrtarët e USCIS-it që merren me strehimin politik të shqyrtojnë aplikimet për strehim politik të individëve në proçes të përshpejtuar që pohojnë se kanë frikë se do të persekutohen dhe torturohen dhe që e kalojnë provën që vendos nëse kjo frikë është ose jo reale. Sipas sistemit aktualisht në fuqi, për këto çështje vendimin e merr vetëm një gjykatës emigracioni. Mirëpo, për shkak të kapicave të çështjeve të prapambetura, proçesi gjyqësor ku dëgjohen dhe merren vendime për çështjet e strehimit politik zgjat mesatarisht me vite. Kur reformat në fjalë të vihen plotësisht në zbatim, kohëzgjatja e proçesit të lartpërmendur për pjesën dërrmuese të aplikantëve për strehim politik që preken nga kjo rregullore, do të ulet në disa muaj.

Sipa rregullores së re, individëve që besohet se kanë vërtet frikë se do të persekutohen, do t’u caktohet një intervistë me një zyrtar që merret me çështjen e strehimit politik. Intervista do të kryhet brenda një periudhe kohe që mundëson mbledhjen e të gjithë informacionit të duhur që ka të bëjë me kërkesën për azil politik. Pas intervistës, USCIS-i do të vendosë nëse do ta aprovojë apo hedhë poshtë kërkesën në fjalë. Personit të cilit nuk do t’i aprovohet kërkesa për azil nga USCIS-i, do t’i kalojë çështja për proçes deportimi pranë gjykatësit të emigracionit. Rregullorja e re krijon mundësinë për proçedura efikase të këtyre proçeseve të deportimit, të krijuara me synimin për promovuar një zgjidhje sa më efikase të çështjes. Rregulli nuk vlen për fëmijët e pashoqëruar dhe do të zbatohet vetëm për ata individë që janë në proçes të përshpejtuar deportimi duke filluar nga data e futjes në fuqi dhe në vazhdim. Zbatimi i rregullores do të bëhet gradualisht dhe do të vijë duke u zgjeruar krahas sigurimit nga ana e seksionit të strehimit politik të USCIS-it të burimeve shtesë si dhe rritjes së kapacitetit për punë.   

Sekretari i DHS-së Alejandro N. Mayorkas deklaroi “Nëpërmjet kësaj rregulloreje po ngremë një sistem më funksional dhe më të arsyeshëm për strehimin politik i cili do t’u ofrojë më shpejt mbrojtje personave që kualifikohen, dhe do të largojë më shpejt ata që nuk kualifikohen. Kërkesat për strehim politik dhe forma të tjera mbrojtjeje humanitare do të proçesohen në kohë dhe në mënyrë më efikase duke garantuar njëkohësisht dhe një proçes të rregullt.”

Prokurori i përgjithshëm Merrick B. Garland tha se rregullorja e re do t’ua ulë ngarkesën e punës gjykatave të emigracionit, do të mbrojë të drejtat e atyre që i kanë ikur dhunës dhe persekutimit si dhe do t’u mundësoje gjykatësve të emigracionit të japin urdhra deportimi kur është e përshtatshme.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]