SHBA refuzon kërkesën e Rusisë që Ukraina të mos pranohet në NATO

Uashington, 26 janar 2022 – Shtetet e Bashkuara e kundërshtuan të mërkurën, më 26 janar, kërkesën e Rusisë që të hiqet dorë nga planet për pranimin e Ukrainës në NATO, raporton REL.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni, në një letër dërguar qeverisë ruse, ka propozuar “një rrugë serioze diplomatike” për të zgjidhur krizën për Ukrainën.

“Ne bëjmë të qartë se ka parime thelbësore të cilat ne jemi të përkushtuar t’i mbështesim dhe t’i mbrojmë, duke përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën e shteteve për të vendosur për marrëveshjet dhe aleancat e tyre të sigurisë”, tha ai.

Blinken iu drejtua mediave menjëherë pasi zëvendësi i tij wendy Sherman tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të bindura se Putini është gati të përdorë forcën kundër Ukrainës deri kah mesi i muajit shkurt.

Ai tha se letra dërguar Moskës thekson se Kievi mund t’i zgjedhë aleatët e vet.

Blinken u tha gazetarëve se letra që i është dërguar Moskës nuk do të bëhej publike, me arsyetim se kështu “diplomacia i ka shanset më të mira për të pasur sukses”.

Ai tha se në ditët në vijim do të flasë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për të marrë përgjigjen e Moskës ndaj propozimit të Uashingtonit.

“Ne kemi trajtuar mundësinë e masave të transparencës reciproke në lidhje me demonstrimin e forcës dhe Ukrainën, si dhe masat për të rritur besimin në lidhje me stërvitjet dhe manovrat ushtarake në Evropë”, tha ai.

Letra e Uashingtonit, e cila u hartua në koordinim me Ukrainën dhe me aleatët e SHBA-së në Evropë, hap rrugë edhe për avancimin e bisedimeve me Rusinë për kontrollin e armëve bërthamore.

(r.m.)

Comment

*