SHBA: Rrëzohet mbi Alaskë një objekt në lartësi të madhe me origjinë të panjohur

Uashington, 10 shkurt 2023 – Një “objekt në lartësi të madhe” është rrëzuar mbi Alaskë pak më herët, tha Shtëpia e Bardhë.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se objekti ishte në “madhësinë e një makine të vogël”.

“Presidenti Joe Biden mori vendimin për të rrëzuar objektin, i cili ishte me origjinë të panjohur”, tha ai.

Kjo vjen pasi SHBA-ja rrëzoi atë që Uashingtoni tha se ishte një balonë kineze e spiunazhit, por që Pekini tha se ishte një anije shkencore civile, që aksidentalisht kishte fluturuar jashtë drejtimit për shkak të motit.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë të premten, Kirby tha se objekti mbi Alaskë mund të kishte paraqitur një kërcënim për avionët civilë.

Ai tha se një avion luftarak i ishte afruar objektit dhe vlerësoi se ishte pa pilot, dhe tha se ky informacion i ishte dhënë Bidenit kur e mori vendimin.

Zyrtarët e inteligjencës u njoftuan për objektin të enjten në mbrëmje, sipas Kirbyt.

“Ne nuk e dimë se kush e zotëron atë, nëse është në pronësi të shtetit apo në pronësi private”, tha ai.

Kirby nuk specifikoi vendndodhjen e saktë se ku u rrëzua objekti, por Administrata Federale e Aviacionit tha se kishte mbyllur hapësirën ajrore në zonën e Deadhorse, në veri të Alaskës.

Asnjë objekt tjetër i një natyre kërcënuese nuk është identifikuar për momentin mbi SHBA, sipas Shtëpisë së Bardhë.

(REL)