SHBA-Shqipëri, një histori marrëdhëniesh të sulmuara

Cikël historik me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane – Pjesa I

 

Ylli Polovina

Ylli Polovina

(I ndihem mirënjohës gazetës “Illyria” që më përmbushi dëshirën të botoj një herë në javë, një cikël shkrimesh për historinë e agresionit të vazhdueshëm për të dobësuar e ndërprerë marrëdhëniet politike, diplomatike e shpirtërore më të natyrshme të shqiptarëve: atë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu edhe triumfin e tyre.
Nën këtë mesazh së bashku me redaksinë zgjodhëm ta nisim bashkëpunimin në një çast shumë domethënës: kur marrëdhëniet diplomatike të rilidhura pas agresionit dhe këputjes së dytë, mbushën 20 vite dhe vetë gazeta “Illyria” po kaq kohë që është e pranishme dhe e dëshiruar në jetën tonë publike).

Tragjedia e parë mbi historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane do të binte në orët e para të 7 prillit 1939. Një ditë më parë, në mbrëmje, të gjitha trupat e operacionit pushtues italian gjendeshin në portet e Barit, Brindisit dhe Tarantos si edhe në aeroportin e Grotalies. Përveç 22 mijë njerëzve me uniforma dhe armë të lehta e të rënda këmbësorie, 125 tankeve të vegjël por të shpejtë, 860 do të qenë automjete si edhe 1200 motoçikleta. Për lëvizjen e ushtarëve do të viheshin në përdorim edhe 5500 biçikleta.
Këtë ditë të 6 prillit, ndërsa në qytetet kryesore të vendit ishin përflakur protesta plot zemëratë, në Tiranë afro dy mijë të rinj kryen një gjest ndryshe dhe mjaft domethënës. Ishte i paparë ndonjëherë në Ballkan e në mos në të tërë kontinentin. Duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë ata hynë në oborrin e ambasadës amerikane.
Bashkë me parullat në mbrojtje të atdheut dhe të lirisë së tyre, përsëritën vazhdimisht edhe thirrjet e forta “Rroftë Amerika!”, “Rroftë presidenti Ruzvelt!”
Në mesditën e po këtij 6 prilli ndodhi edhe një ngjarje tjetër, po aq simbolike si edhe e mëparshmja: takimi mes Ahmet Zogut dhe ambasadorit Hju Grant (Hugh Grant). Diplomatin amerikan e kishte thirrur vetë mbreti. ShBA qe shteti mbrojtës i shqiptarëve, protektori i madh dhe i padyshimtë i tyre. Monarku mendonte si i gjithë populli i tij.
Pushtimi i pritshëm fashist italian po ndodhte në një moment fare të padëshiruar edhe për raportet mes Uashingtonit dhe Tiranës. Në ato vite të fundit të dekadës së tretë të shekullit ato kishin shënjuar, që prej çastit të fillimit zyrtar, gati dy dhjetë vjetësh më parë, kulmimin e tyre. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ndërmjet dy vendeve ndodheshin realisht në fazë lumturie. Ato po ngarendnin në një rrugë, e cila po të ndihmohej nga po ajo rrjedhë e natyrshme e rrethanave gjeostrategjike, pra të mos ndërpritej brutalisht nga pushtimi fashist, do të sillte një histori dhe fat krejt tjetër të shqiptarëve.
Humbja e lirisë për shqiptarët ato çaste ishte shumë e rëndë, sepse qe e dyfishtë. Do të humbte njëherësh pavarësinë e Amerikën.
Sipas studiuesit boshnjak Haris Silajxhixh në atë takim të mesditës së 6 prillit Ahmet Zogu i pati deklaruar diplomatit amerikan se në ultimatumin e italianëve e kishte kundërshtuar çdo propozim. Sipas fjalëve të mbretit fashistët i kishin kërkuar kontrollin e të gjitha porteve, rrugëve dhe pikave të tjera strategjike. Në listën e gjatë të ultimatumit kërkesa e fundit e italianëve kishte qenë gjer në fyt e mbushur me demagogji: përfaqësitë diplomatike në Romë dhe në Tiranë të ngriheshin në rang ambasade. Sipas Silajxhixh “Mbreti i tha Grantit se nga të gjitha kërkesat kishte pranuar vetëm këtë të fundit”.
Ahmet Zogu pyetjes së ambasadorit amerikan nëse do t’i kundërvihej pushtimit i qe përgjigjur me një “po” dhe “jo” njëkohësisht. Pra kishte shumë dëshirë të bënte qëndresë, por ndërkohë e dinte që ushtria e tij ishte shumë e vogël numerikisht dhe e armatosur rëndomësisht. Municione zotëronte vetëm për njëzetë e katër orë rezistencë. Ushtarë vetëm 4200.
Pikërisht këtë çast të bisedës Hju Grant e pyeti mbretin shqiptar nëse kishte ndonjë mesazh për qeverinë amerikane. Prej Ahmet Zogut erdhi vetëm lutja për t’i përcjellë presidentit Ruzvelt përshëndetjet më të përzemërta.
Kështu Uashingtonit zyrtarisht nuk iu kërkua asnjë ndihmë. Sipas studiuesit Hari Silajxhixh mbreti shtoi se ishte i bindur që demokracitë e mëdha duhet të vendosin që ose të përgatiten për konfrontim me regjimet totalitare ose të lejojnë që “vendet e vogla të gëlltiten një nga një”.
Ndërsa po atë ditë informonte Uashingtonin ambasadori Grant nuk linte pa shkruar në raport edhe një hollësi që e kishte emocionuar. Kur Ahmet Zogu i pati shprehur hidhërimin se italianët e kishin zgjedhur ditën e pushtimit pikërisht kur mbretëresha sapo kishte lindur dhe qe lehonë, në sytë e tij kishte parë rezëllim lotësh.
Në 5 prill, ditën e lindjes së fëmijës së tyre dhe kur trupat ushtarake italiane në bregdetin e përtejshëm po grumbulloheshin me shpejtësi në bazat e tyre të sulmit, në Tiranë në shenjë gëzimi kishin buçitur njëqind të shtëna topi.
Ndërkohë po atë mesditë, ndërsa Hju Grant ende nuk kishte marrë rrugën e kthimit për në selinë e ambasadës, mbretëresha Geraldinë e pati pyetur nëse qeveria amerikane mund t’i jepte azil politik.
Diplomati i qe përgjigjur se do ta strehonte menjëherë në godinën e përfaqësisë së tyre sapo Ahmet Zogu t’ia shqiptonte kërkesën.
Por mbreti nuk tha asgjë të tillë.
Mbretëresha, dikur kontesha Geraldine Apponyi, nuk e pati zgjedhur shpëtimin e saj tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm se marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve qenë shumë të mira apo se në traditën e shqiptarëve shteti i fuqishëm përtej oqeanit Atlantik kishte pothuaj tre dekada që dëshirohej të ishte protektori i tyre, por edhe për një fakt tjetër, të cilin shpesh e anashkalojmë çuditshëm dhe pa asnjë arsye. Ajo vetëm të atin, kontin Lajos, e kishte hungarez. E ëma, Gladys Virginia Steëart, qe amerikane, madje milionere. Si Geraldina ashtu edhe e motra e saj një vit më e vogël, Virginia, para se të shkonin në Paris, shkollimin e tyre e kishin nisur në ShBA.
Edhe pse kishte shumë arsye për të besuar se Uashingtoni do të ndërhynte në ruajtjen e sigurisë territoriale të vendit të vogël që për shumë arsye ndihej shumë i lidhur politikisht dhe shpirtërisht me të, të nesërmen, në 7 prill, gjithçka ngjau vetëm sipas asaj që në fillim të muajit mars ishte vendosur në Romë, në zyrën e Musolinit. Dy ditë para se të dëgjoheshin të njëqind të shtënat e lindjes së trashëgimtarit mbretëror, në 3 prill, në një raportim sekret të nënministrit të Luftës dhe njëkohësisht shefit të Shtabit të Ushtrisë Italiane, gjeneral Parianit, thuhej se “qëllimi i operacionit është të pushtohen me shpejtësinë më të madhe qendrat vitale: Shkodra-Tirana-Gjirokastra-Vlora-lugina e Devollit-Saranda; sapo të jetë e mundur të shtrihet pushtimi i qendrave të Elbasanit-Korçës-Krujës-Burrelit-Kukësit-Peshkopisë”.
Në pasditen e 7 prillit, i futur në mes të një autokolone të gjatë automobilash të mbushur me roje, bashkëpunëtorë dhe valixhe, Ahmet Zogu u nis të dilte nga kufiri.
Në 8 prill nga autoritetet italiane të pushtimit, të porsambërritura në Tiranë, Hju Grantit iu kërkua informacion nëse mbretëresha bashkë me fëmijën e saj dy ditësh qe strehuar në rezidencën diplomatike amerikane. Fashistët deklaruan se qenë të shqetësuar për shëndetin e saj dhe të porsalindurit.
Grant iu përgjigj në mënyrë ironike se ishin pikërisht italianët me ndërhyrjen ushtarake të tyre që e kishin detyruar Geraldinën të largohej.
Më 9 prill dhe më tej ShBA vazhduan ta ndjekin fatin e Shqipërisë, por njëkohësisht të mos ndërhyjnë. Historia kështu e ka regjistruar këtë moment shumë të vështirë të saj. Shteti i madh dhe i fuqishëm për një nga presidentët e të cilit, Uodrou Uillsonin, populli shqiptar kishte ngritur edhe një këngë admiruese, nuk veproi sipas asaj dëshire dhe atij përfytyrimi kolektiv që këta kishin.
Është gjetur, për ta shpjeguar këtë mosveprim, termi apati.
Disi e ngutshme të thuhet se kjo mospërzierje e qeverisë amerikane në kryerjen e një akti të madh refuzues kundër pushtimit të vendit të vogël ballkanik, pra në mbrojtje të pavarësisë së saj, kur dy dekada më parë ishte bërë legjendare me veprimin e kundërt, të emërtohet si pabesi apo shpirtngushtësi. Apo si thjesht indiferencë.
Rezulton pasojë e rrethanave të ndërlikuara gjeopolitike të kohës, por kësaj enigme do të kemi rast t’i rikthehemi njëherë tjetër.
Sipas një materiali të brendshëm të kësaj kohe, të cilin qeveria fashiste e kishte përpunuar në formën e një studimi, horizonti i marrëdhënieve ndërkombëtare prej tyre gjykohej kështu: në rast të një pushtimi të Shqipërisë Benito Musolini priste reagim vetëm nga Anglia, Jugosllavia dhe Greqia. Hamendësohej, për hir të Geraldinës dhe të përkatësisë së saj nga klasa e fisnikërisë hungareze, edhe ndonjë nervozizëm prej Budapestit.
Ndërkohë në Londër një deklaratë në Dhomën e Komunave e bërë prej kryeministrit britanik Neville Chamberlain kishte lënë të kuptohej se çështja e fatit të Tiranës nuk përbënte as për Anglinë ndonjë merak dhe emergjencë.
Me Jugosllavinë italianët kishin bërë që më parë një marrëveshje, sipas të cilës ajo duhej të rrinte mënjanë. Të dërguar të Romës ia patën fashitur alarmin se ndërhyrja ushtarake italiane në Shqipëri përbënte ndonjë fazë të parë për të kryer “pedanën”, kërcimin në një të dytë: pushtimin e saj.
Greqia ishte shumë e shqetësuar nga çfarë ndodhi, por jo për shqiptarët. Ankthin e kishte për vete. Ajo i pati grumbulluar dhe përpunuar të gjitha të dhënat për çfarë do të kryenin italianët pas atij zbarkimi në Ballkan. E dinin që do t’i sulmoheshin prej tyre që në rastin më të parë. Kjo vija sjelljeje del e qartë prej një shkëmbimi mesazhesh të 4 prillit 1939 mes konsullit grek në Gjirokastër, Kimarios dhe ministrit të jashtëm në Athinë Mavrudis.
Nga qyteti i gurtë shqiptar konsulli helen i shkruante eprorit të tij “Ju lutem më jepni udhëzime mbi çështjen e mëposhtme. Grekët e këtij qyteti më kanë kërkuar çfarë qëndrimi të mbajmë në rastin e mundshëm të manifestimeve antiitaliane nga ana e popullsisë së Gjirokastrës”. Nga Mavrudis përgjigja erdhi fare e qartë: “U rekomandoni grekëve në territorin nën juridiksionin tuaj në asnjë mënyrë të mos marrin pjesë në çfarëdo manifestim antiitalian”.
Ndërkohë në fund të prillit Hju Grant kishte bërë në Tiranë një bisedë sekrete me ministrin e jashtëm të qeverisë bashkëpunuese Xhemil Dino. Ky i pati pohuar se bashkë me kolegët e kabinetit qenë “shqiptarë të vërtetë të cilët gjenden në një situatë të vështirë dhe se në këto kushte po përpiqen të përfitojnë nga situata atë çfarë është e mundur”.
Grant, ambasadori amerikan që e donte shumë Shqipërinë dhe qeverinë e tij e kishte shtyrë sa të qe e mundur për një rol aktiv në mbrojtje të vendit të vogël ballkanik, në 5 korrik do të vihej në dijeni nga Ministri i Jashtëm Dino se në përputhje me një marrëveshje të bërë me qeverinë italiane, ajo ministri do të suprimohej. Shqipëria i qe aneksuar Italisë. Shqiptarët kryetar shteti tashmë kishin mbretin Viktor Emanuel.
Pesë ditë më vonë Hju Grantit i erdhi nga Uashingtoni kabllogrami se duhej ta mbyllte ambasadën në Tiranë.
Kështu marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane, në vetëm njëzetë vite mbërritur gjer në lulëzim, u ndërprenë, u këputën dhunshëm.
Në historinë e shtetit të pavarur shqiptar kjo do të ishte, në raportet mes Uashingtonit dhe Tiranës, pasoja e diktaturës së parë. Si për të ridëshmuar enkas se ShBA dhe tiranitë janë dy alternativa krejt të kundërta, do të vinte edhe diktatura e dytë, ajo e pas luftës çlirimtare.
Veç deri në rrëfimin e këtyre çasteve, do të na jepet rasti të depërtojmë në disa pamje të veçanta të periudhës së betejës me fashizmin, ku imazhi i dëshiruar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës rishfaqet sërish dhe zgjon shpresë se nuk do të largohet më prej imagjinatës kolektive të shqiptarëve, këtij populli të dashuruar aq shumë pas saj, sa prej mos shpjegimit dhe moskuptimit, në jo pak të huaj lë vend për fjalënaja gjithfarësh.
(Vijon)
Tiranë, më 16 maj 2011

Comment

*