SHBA tërheq një pjesë të personelit diplomatik nga Kabuli

Uashington, 12 gusht 2021 – Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi të enjten se Shtetet e Bashkuara po ulin numrin e personelit diplomatik në Afganistan, duke lënë në Kabul vetëm “personelin jetik diplomatik” pas përkeqësimit të fundit të situatës së sigurisë në atë vend.

“Ambasada jonë mbetet e hapur dhe misioni ynë diplomatik do të vazhdojë,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price në konferencën e rregullt për shtyp të enjten.Ai shtoi se ambasada do të vazhdojë funksionet në të njëjtën ndërtesë, pasi u pyet nga gazetarët nëse ka plane për ta zhvendosur personelin që do të qëndrojë në Afganistan.

Ndërkohë, për të ndihmuar evakuimin e personelit diplomatik nga ambasada në Kabul, Shtetet e Bashkuara po dërgojnë trupa shtesë.

Një zyrtar amerikan konfirmoi se trupat do të ofrojnë mbështetje nga ajri dhe toka në procesin për transportimin e diplomatëve në aeroportin e Kabulit. Zyrtari foli me kusht që të mos identifikohej me emër, pasi planet nuk janë bërë ende publike.

Vendimi për të reduktuar në maksimum numrin e personelit diplomatik në Kabul reflekton humbje besimi nga administrata e Presidentit Biden në aftësinë e qeverisë afgane për të ofruar mbrojtjen e nevojshme për misionin diplomatik amerikan në Kabul, ndërkohë që talibanët vazhdojnë përparimin dhe kanë marrë gjatë ditëve të fundit një numër qytetesh të rëndësishme.

Pentagoni ka mbajtur 650 trupa në Afganistan për të ofruar siguri shtesë për misionin diplomatik amerikan. Zyrtari tha se trupat shtesë si dhe mjetet fluturuese do të sillen nga jashtë Afganistanit për të ndihmuar evakuimet.

Gjendja e sigurisë ka pësuar një rënie precipituese prej disa muajsh në Afganistan, që kur Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja bënë të ditura planet për tërheqje të plotë nga ky vend. Megjithë keqësimin e situatës, as Shtëpia e Bardhë dhe as Pentagoni nuk duken të gatshëm të ndalin keqësimin e mëtejshëm me një rishikim të planeve.

Presidenti Biden e ka bërë të qartë se nuk ka për synim të ndryshojë vendimin që mori pranverën e kaluar. Ndërkohë që janë larguar pjesa më e madhe e trupave amerikane nga Afganistani, talibanët kanë përshpetuar operacionet. Të enjten ata morën nën kontroll dy kryeqytete të tjera provinciale, pas marrjes të mërkurën të tri kryeqyteteve, duke e çuar në 11 numrin e administratave lokale që kontrollojnë aktualisht. Megjithëse talibanët nuk kanë mbështetje nga ajri dhe janë më të paktë në numër se ushtarët vendas që janë stërvitur e pajisur nga Shtetet e Bashkuara, ky grup ekstremist ka arritur të avancojë me shpejtësi rrufe, duke marrë edhe qytetin e tretë më të madh në vend, Heratin.

Ambasada amerikane në Kabul paralajmëroi të enjten amerikanët që ndodhen në Afganistan të largohen menjëherë. Ky ishte paralajmërimi i dytë që nxjerr ambasada që të shtunën.

Ndërkaq, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se afganët kanë ende kohë të shpëtojnë vendin nga disfata përfundimtare.

“Nuk ka përse shkon drejt disfatës. E gjitha varet nga udhëheqja politike e ushtarake që mund të mobilizojnë vetë afganët për ta përmbysur këtë situatë”.

Një mesazh të ngjashëm kishte edhe Presidenti Biden këtë javë kur tha “Afganët duhet të luftojnë për veten dhe për vendin e tyre”.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta mbështesin ushtrinë afgane me goditje të kufizuara ajrore, por këto përpjekje nuk kanë dhënë rezultat deri tani. Më 31 gusht Shtetet e Bashkuara pritet të mbyllin zyrtarisht praninë e tyre ushtarake në Afganistan.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*