SHBA thërret udhëheqësit boshnjakë të ndalin retorikën dhe veprimet përçarëse

Sarajevë, 22 janar 2022 – Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të premten udhëheqësve rivalë etnikë të Bosnjës të lënë mënjanë retorikën përçarëse që kërcënon ekonominë e brishtë dhe të ardhmen e vendit, duke shtuar se Uashingtoni është i gatshëm të vendosë sanksione të mëtejshme ndaj atyre që dëmtojnë stabilitetin.

“Retorika për luftë po e bën jashtëzakonisht të vështirë… tërheqjen e investimeve nga komuniteti ndërkombëtar… dhe ndërtimin e një ekonomie të fortë dhe të qëndrueshme që krijon vende pune”, tha Samantha Power, administratorja e Agjensisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID), gjatë një konference për shtyp në Sarajevë.

Kriza politike në Bosnjë, më e rënda që nga lufta në vitet 1992-1995, shpërtheu pasi serbët e Bosnjës bllokuan procesin vendimmarrës në institucionet kombëtare dhe filluan procesin e tërheqjes nga forcat e armatosura, sistemi tatimor dhe nga gjyqësori.

“Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë dhe janë shumë shumë të shqetësuara nga kriza politike, bllokada politike dhe obstruksionizmi”, tha zonja Power.

Ajo është zyrtarja e parë amerikane që viziton Bosnjën pasi më herët këtë muaj Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj udhëheqësit serb Milorad Dodik, duke e akuzuar atë për korrupsion dhe se rrezikon stabilitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës.

Zonja Power u bëri thirrje politikanëve boshnjakë të lënë mënjanë retorikën përçarëse që vendos në pikëpyetje qëndrueshmërinë e 26 viteve paqe.

“Në veçanti Presidenti Dodik ka krijuar një klimë tensioni, që është e ekspozuar ndaj vendimeve të gabuara dhe rrezikut të përshkallëzimit”, tha ajo. Zoti Dodik është anëtari serb i presidencës trepalëshe të vendit.

Zonja Power tha se nxjerrja e Republikës Serbe nga institucionet kombëtare, siç ka kërcënuar zoti Dodik, vetëm do ta dëmtonte rajonin ekonomikisht.

Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, i dha fund luftës së Bosnjës, dhe e ndau vendin në dy rajone me autonomi të lartë, në Republikën Serbe të dominuar nga serbët ortodoksë, dhe një federatë të dominuar nga kroatët katolikë dhe boshnjakët myslimanë. Dy rajonet ndërlidhen nëpërmjet një qeverie të dobët qendrore.

Zoti Dodik ka kërkuar prej kohësh shkëputjen e Republikës Serbe dhe në vazhdim bashkimin e saj me Serbinë, e cila mbështeti gjatë luftës serbët e Bosnjës.

Zonja Power tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj zyrtarëve të përfshirë në akte korruptive dhe në destabilizimin e vendit. USAID-i ka investuar rreth 2 miliardë dollarë në Bosnjë, që nga përfundimi i luftës.

(Zëri i Amerikës)