SHBA u bën thirrje deputetëve të sigurojnë kuorumin për zgjedhjen e presidentit

Prishtinë, 3 prill 2021 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të marrin pjesë në procesin për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke siguruar kuorumin e nevojshëm për votim të ligjshëm.

Ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në një postim në Tëitter, ka theksuar se deputetët duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Pozicioni i qeverisë amerikane mbetet i pandryshuar. Ne e mbështesim votimin në Kuvend. U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit që të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës, duke marrë pjesë në votim për të siguruar kuorumin”, thuhet në postimin e ambasadorit Kosnett.

Shefi i misionit diplomatik amerikan në Kosovë e ka publokuar këtë postim në prag të fillimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

SHBA është shprehur disa here për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja shtetërore të Kosovës, përfshirë edhe Presidentin e vendit, dhe kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për pozitën e presidentit është Vjosa Osmani. Kundërkandidat i saj do të jetë Nasuf Bejta, gjithashtu kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje.

Bejta është propozuar vetëm për të përmbushur dispozitën kushtetuese që parasheh që presidenti të zgjidhet me vote të fshehtë, midis së paku dy kandidatëve.

(r.m.)

Comment

*