SHBA u bën thirrje palëve në Mal të Zi të ndjekin rrugën e integrimit euro-atlantik

Podgoricë, 17 shtator 2021 – Ambasadorja amerikane në Podgoricë, Judy Rising Reinke, tha se bartësit e listës së shumicës qeverisëse në Mal të Zi – Zdravko Krivokapiq, Aleksa Beçiq dhe Dritan Abazoviq – duhet t;i përmbushin dhe t’i mbajnë premtimet që kanë dhënë për ta çuar vendin drejt integrimeve euro-atlantike. Ndërkaq nga presidenti malazez, Milo Gjukanoviq, dhe nga opozitarët kërkoi të lënë mënjanë dallimet politike dhe të punojnë në të mirë të interesit publik.

“Mesazhi im është, si për qeverinë ashtu edhe për opozitën, se e ardhmja euro -atlantike është rruga që ju të gjithë e keni zgjedhur … Gjeni fushat ku mund të përparoni, si një qëllim të përbashkët. Shmangni çështjet që do të shkaktojnë polarizime dhe ngritje të tensioneve”, tha ambasadorja Reinke të enjten, gjatë prezantimit të studimit të Qendrës Digjitale të Mjekësisë Ligjore, me temën ” Roli i Rusisë në Ballkan: rasti i Malit të Zi “.

Ambasadorja Reinke vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç mbajtjes së kursit euro-atlantik, kërkon nga përgjegjësit politikë në qeveri që të ruajnë qasjen e politikës së jashtme dhe të zbatojnë reformat e nevojshme për rrugën evropiane.

“Ngjarjet e fundit duhet të jenë një thirrje zgjimi për të gjithë ata që duan paqe dhe prosperitet,” theksoi Reinke.

Ajo theksoi gjithashtu se është e qartë se gjatë ngjarjeve të fundit, të cilat e pasuan shugurimin e kreut të Kishës Ortodokse Serbenë Mal të Zi, Joanikije, se polarizimet dhe ndarjet në Mal të Zi po rriteshin, gjë që është shqetësuese për të ardhmen euro-atlantike të vendit.

Ambasadorja Reinke tha se ajo ishte e tronditur nga skenat e zemërimit, frikës dhe ndarjes që ka pare gjatë këtyre ngjarjeve.

“Unë nuk besoja se ky vend kishte arritur në një pikë kaq të rrezikshme dhe kam frikë se Rusia, me përfaqësuesit e saj politikë dhe fetarë në vend dhe në rajon, ka gjetur terren të përshtatshëm në një Mal të Zi të ndarë thellë, për ta larguar vendin nga e ardhmja euro-atlantike. Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë “, tha ajo.

Ambasadorja Reinke tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin vendosjen e një dialogu midis qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile, i cili do ta çonte vendin drejt rrugës perëndimore.

Ceremonia e shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, u zhvillua më 5 shtator. mes tensioneve të mëdha. Forca të mëdha të sigurisë u angazhuan për parandalimin e përplasjeve mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të ceremonies. Peshkopi Joakinije u dërgua në manastir me helicopter të ushtrisëmalazeze, për të shmangur barrikadat e vendosura në hyrjet e qytetit të Cetinës.

Mali i Zi u pavarësua në vitin 2006, por Kisha Ortodokse malazeze dhe mbeti nën juridiksionin e Kishës Ortodokse Serbe, e cila për shumëkënd është simbol i ndikimit serb në Mal të Zi.

Çështja e pronësisë së Kishës Ortodokse Serbe shkaktoi tensione të shumta vitet e fundit në Mal të Zi.

Ligji për Liritë fetare, i miratuar në kohën kur në pushtet ishte Partia Demokrate e Socialistëve e presidentit Gjukanoviq, kërkonte që Kisha Ortodokse Serbe të dëshmojë të drejtën e pronësisë ndaj pronave që i shfrytëzon ajo prej kohësh. Qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e gushtit të vitit 2020, bëri  një ndryshim të këtij ligji me të cilin ia njohu të drejtën e pronës Kishës Ortodokse Serbe, me seli në Beograd.

Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)