SHBA: Udhëzime të reja për fëmijët që e kalojnë moshën për t’u përfshirë në vizat e emigrimit

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Llogaritja e moshës në bazë të Dekretit për Mbrojtjen e Statusit të Fëmijëve (CSPA)

CSPA-ja u ofron mbrojtje disa personave “përfitues” që të mos humbasin të drejtën për të marrë viza emigruese si dhe për të rregulluar statusin, për shkak se gjatë kohës që kanë qenë në pritje të shqyrtimit të çështjes së tyre të emigracionit, u ka “kaluar mosha” dhe si rrjedhim mund të mos kualifikohen më për qëllime emigrimi nga emigracioni, si fëmijë.

Jonënshtetasve që kërkojnë statusin e rezidentit të përhershëm të ligjshëm në një kategori preferenciale të caktuar, CSPA-ja u ofron një metodë për të llogaritur moshën e cila bazohet në datën kur viza emigruese bëhet e disponueshme. Kjo metodë llogaritjeje vlen vetëm në ato raste kur jonënshtetasi kërkon të marrë statusin e rezidentit të përhershëm të ligjshëm brenda një viti nga momenti kur i është vënë në dispozicion viza emigruese. As statuti dhe as rregulloret nuk përcaktojnë se kur një vizë bëhet e disponueshme për qëllime të llogaritjes së moshës siç parashikon CSPA-ja. Gjithashtu, nuk ka as vendime precedente të gjykatës federale dhe as vendime administrative të publikuara lidhur me këtë çështje.

Në periudhën nga koha e hyrjes në fuqi të CSPA-së në vitin 2001 dhe tetorit 2015, ishte e qartë se data kur një vizë emigruese “u bë e disponueshme” për qëllim llogaritjen e moshës sipas CSPA-së dhe ishte “menjëherë e disponueshme” qoftë për të pranuar qoftë për të nisur procesimin e aplikimeve për ndreqje të statusit, ishte një e vetme dhe vihej në tabelën e Buletinit të vizave që nxjerr Departamenti i Shtetit të SHBA-së (DOS) dhe që tashmë njihet si tabela e datave të veprimeve përfundimtare (Final Action Dates chart).

Mirëpo, në tetor të vitit 2015, DOS-i filloi të publikojë dy tabela në buletinin e lartpërmendur të vizave. Dy tabelat janë, tabela që përmban “Dates for Filing” (pra datat kur personi përfitues njoftohet se duhet të mbledhë dhe t’i paraqesë qendrës kombëtare të vizave pranë Departamentit të Shtetit (NVC-së), dokumentat e nevojshme) si dhe tabela që përmban“Final Action Dates” (pra datat që bëjnë të ditur se kur autorizohet dhënia e vizës).   

Që prej vitit 2015 kur DOS-i vuri në zbatim ndryshimin në fjalë, USCIS-i cakton njërën nga dy tabelat e sipërpërmendura (atë të datës për aplikim dhe atë të datës së veprimeve përfundimtare) në buletinin e përmuajshëm të vizave që nxjerr DOS-i, që të përdoret për të vendosur se kur duhet paraqitur aplikimi për ndreqje të statusit. Është e rëndësishme që, për t’i paraqitur USCIS-it një aplikim për ndreqje statusi, aplikanti të ketë një vizë “menjëherë të disponueshme”. Sipas udhëzimeve të mëparshme të CSPA-së, të publikuara në maj 2018, USCIS-i konsideroi vetëm një vizë të disponueshme për llogaritje të moshës sipas CSPA-së dhe ishte ajo e bazuar në tabelën e Final Action Dates.

Pas publikimit të udhëzuesit në maj 2018, i njëjti aplikant për ndreqje statusi mund të kishte një vizë “menjëherë në dispozicion” me qëllim që të paraqiste kështu aplikimin, por mund të mos kishte një vizë “që bëhet e disponueshme” dhe shërben për llogaritjen e moshës sipas CSPA-së. Pra aplikantëve që kanë paraqitur aplikimin bazuar në tabelën me “Dates for Filing” do t’u duhet të paguajnë tarifën dhe të paraqesin aplikimin për ndreqje statusi pa e ditur nëse mund të përfitojnë ose jo nga mbrojtja që ofron CSPA-ja.

Për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje, USCIS-i ka përditësuar politikat e tij dhe tani e quan një vizë të disponueshme për të llogaritur moshën sipas CSPA-së në të njëjtën kohë që po USCIS-i e quan një vizë menjëherë të disponueshme për qëllim pranimi dhe procesimi të kërkesës për ndreqje statusi. Ky përditësim zgjidh çdo kontradiktë në dukje midis datave të ndryshme në buletinin e vizave si dhe në materialin ligjor që ka të bëjë me kohën kur viza është “e disponueshme”.

Procedura e re:

  • Shpjegon që USCIS-i konsideron një vizë të disponueshme për qëllim llogaritje të moshës sipas CSPA-së në të njëjtën kohë që po USCIS-i konsideron një vizë menjëherë të disponueshme për qëllim pranimi dhe procesimi të kërkesës për ndreqje statusi.
  • Sqaron se periudha 1-vjeçare gjatë së cilës një jonënshtetas duhet të kërkojë qëndrim të përhershëm të ligjshëm sipas CSPA-së fillon kur viza bëhet e disponueshme për qëllim pranimin dhe procesimin e aplikimit për ndreqje statusi. Megjithatë, është në diskrecionin e USCIS-it që të vendosë të marrë në konsideratë disa rrethana të jashtëzakonshme që kanë çuar në mospërmbushjen e kriterit të dërgimit të kërkesës për qëndrim të ligjshmën të përhershëm brenda një viti nga data kur viza është bërë e disponueshme.
  • Shpjegon efektin e transferimit të arsyes në bazë të aplikimit (që është në pritje) për ndreqje statusi, që kërkon llogaritjen e moshës sipas CSPA-së dhe përmbush kriterin e lartpërmendur të afatit një-vjeçar për paraqitjen e kërkesës.

Kur USCIS-i vendos se ka më shumë viza emigruese të disponueshme për një vit fiskal sesa aplikantë që dihet që kanë bërë kërkesë për viza të tilla, dhe USCIS-i njofton se aplikantët e mundshëm mund të përdorin tabelën e “Dates for Filing” kur të dorëzojnë aplikimin për ndreqje statusi, atëherë USCIS-i gjithashtu do të përdorë datat e tabelës në fjalë për të llogaritur moshën e aplikantit sipas CSPA-së. 

Kur USCIS-i njofton që aplikantët e mundshëm duhet të përdorin tabelën e  “Final Action Dates” kur paraqesin aplikimin për ndreqje të statusit, atëherë USCIS-i do të përdorë datat e po kësaj tabele kur të llogarisë moshën e aplikantit sipas CSPA-së. Ky udhëzues hyn në fuqi menjëherë dhe do të zbatohet në të gjitha aplikimet për ndreqje statusi të gjykuara nga USCIS-i më ose pas 14 shkurtit, 2023. Ky udhëzues zëvendëson të gjithë udhëzuesit e mëparshëm lidhur me argumentin në fjalë.

Përveç kësaj, jonënshtetasit mund të paraqesin një mocion pranë USCIS-it për të rihapur aplikimin  e mëparshëm për ndreqje statusi që i është hedhur poshtë. Për këtë qëllim ata mund të paraqesin Formularin I-290B (Notice of Appeal or Motion). Si rregull, jonënshtetasit duhet të paraqesin mocione për rihapje të çështjeve brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit. Për një mocion të paraqitur më shumë se 30 ditë pas refuzimit, nëse jonënshtetasit arrijnë të provojnë se vonesa ishte e arsyeshme dhe nuk varej prej tyre, USCIS-i mund të përdorë autoritetin diskrecional që ka për të justifikuar paraqitjen jo në kohë të mocionit. 

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]