SHBA vendos sanksione ndaj dy zyrtarëve në Bosnjë e Hercegovinë

Uashington, 5 janar 2022 – Ish-kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Bosnje dhe Hercegovinës, Milan Tegeltija dhe kryetari i Lëvizjes për Veprim Demokratik, njëherësh deputet Mirsad Kukiç, janë futur në listën e personave të sanksionuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Atyre u është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri të ditur të mërkurën, më 5 janar, Departamenti amerikan i Shtetit.

Tegeltija dhe Kukiç u përfshinë në këtë listë, bazuar në një deklarate të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken për “përfshirjen e tyre në aktivitete të rëndësishme korruptive”.

“Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit, besimin e publikut në institucionet demokratike të qeverisë së tyre dhe proceset publike, paqen dhe prosperitetin për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës”, thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Në kapacitetin e tij zyrtar si kryetar i KLPGJ-së, Tegeltija ishte i përfshirë në akte korruptive që përfshinin përdorimin e ndikimit të tij politik dhe pushtetit zyrtar për përfitimin e tij personal. Konkretisht, ka informacione të besueshme se Tegeltija e ka përdorur pozicionin e tij për të kërkuar përfitime në këmbim të ndërhyrjes në një proces gjyqësor, si dhe manipulimit të emërimeve në drejtësi dhe punësimeve të tjera publike”, thuhet më tej në njoftimin e DASH-it.

Ndërsa për kryetarin e Lëvizjes për Veprim Demokratik, njëherësh deputet Mirsad Kukiç, Departamenti amerikan i Shtetit tha se duke përdorur pozitën e tij zyrtare si menaxher i minierës Banovici në pronësi publike ai është përfshirë në akte korruptive për përfitimin e tij personal.

“Konkretisht, ka informacione të besueshme që Kukiç përvetësoi fondet publike për përfitime personale dhe ndërhyri në vendimet e punësimit dhe emërimit për të përfituar politikisht”, thuhet me tej në njoftim.

SHBA ka paralajmëruar edhe udhëheqës të tjerë dhe subjekte të lidhura me aktorë të korruptuar ose destabilizues në Bosnje e Hercegovinë se mund të jenë gjithashtu subjekt i veprimeve të ardhshme nga qeveria amerikane.

Më 5 janar, Departamenti amerikan i Thesarit zgjeroi sanksionet për vepra korruptive, në të cilat është përfshirë anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Sanksione janë vendosur edhe ndaj Televizionit “Alternativa” nga Banja Lluka, i cili ndërlidhet me familjen e Dodikut.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se sanksionet shprehin përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovuar llogaridhënien “për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes.

(REL)

Comment

*