SHBA vendos sanksione ndaj vajzave të Putinit dhe familjarëve të bashkëpunëtorëve të tij

Uashington, 6 prill 2022 – Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën sanksione që synojnë dy vajzat e mëdha të Presidentit rus Vladimir Putin dhe njoftuan se po ashpërsojnë masat kundër bankave ruse lidhur me ato që Uashingtoni i cilëson si krime lufte në Ukrainë.

Masat e ndërmarra ndaj Sberbank dhe Alfa Bank, nënkuptojnë një bllokim të parave që kalojnë nëpërmjet sistemin financiar të SHBA-ve dhe ndalojnë amerikanët të bëjnë biznes me këto institucione.

Përveç sanksioneve që synojnë dy vajzat e mëdha të zotit Putin, Mariya Putina dhe Katerina Tikhonova, SHBA-të kanë vendosur në shënjestër edhe kryeministrin Mikhail Mishustin, bashkëshorten dhe fëmijët e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, si dhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, mes tyre Dmitry Medvedev, i cili ka mbajtur më parë detyrën e ish-president dhe kryeministrit të vendit.

Sanksionet synojnë të bllokojnë qasjes e të gjithë anëtarëve të rrethit të ngushtë familjar të zotit Putin në sistemin financiar amerikan dhe ngrijnë çdo pasuri që ata kanë në Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar i lartë amerikan tha për gazetarët se nëse Presidenti Putin ndryshon qëndrim për Ukrainën, sanksionet mund të ngadalësohen, ndoshta edhe të hiqen. 

Presidenti Joe Biden tha se raundi më i fundit i sanksioneve do të ishte shkatërrues.

“E kam bërë të qartë se Rusia do të paguajë një çmim të rëndë e të menjëhershëm për mizoritë e saj në Buça”, shkruante Presidenti Biden në një postim në Twitter.

Zoti Biden pritet të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që do të ndalojë investimet e reja në Rusi nga amerikanët, pavarësisht se ku jetojnë ata. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Departamenti amerikan i Thesarit po përgatit të tjera sanksione kundër ndërmarrjeve shtetërore ruse.

(Zëri i Amerikës)