SHBA vendosin sanksione të reja ndaj Rusisë

Uashington, 31 mars 2022 – Shtetet e Bashkuara vendosën sot (e enjte) sanksione të reja ndaj Rusisë, në përgjigje të agresionit të saj në Ukrainë, duke vënë në shënjestër operatorët e sektorit të teknologjisë, në një përpjekje për të parandaluar Moskën të shmangë sanksionet.

Departamenti anerikan i Thesarit tha në një deklaratë se vendosi sanksione ndaj 21 subjekteve dhe 13 personave, përfshirë Shoqërinë Aksionere ‘Mikron’, prodhuesi dhe eksportuesi më i madh rus i mikroelektronikës dhe prodhuesi më i madh rus i çipave kompjuterikë.

Thesari gjithashtu zgjeroi fushën e autoritetit për vendosjen e sanksioneve, duke përfshirë edhe sektorët e hapësirës ajrore, detare dhe elektronike të ekonomisë ruse. Ky zgjerim bën të mundur që Uashingtoni të vendosë sanksione ndaj çdo personi ose entiteti që ka operacione në ata sektorë, tha Departamenti i Thesarit.

Departamenti i Thesarit tha se sanksionet e të enjtes vënë në shënjestër edhe “aktorët keqdashës kibernetikë”.

“Ne do të vazhdojmë të godasim makinën e luftës së Putinit me sanksione nga çdo drejtim, derisa kjo luftë e pakuptimtë e paimponuar të përfundojë,” thuhet në deklaratën e Sekretares së Thesarit, Janet Yellen.

Sanksionet e vendosura të enjten janë të fundit në serine e sanksionesh të vendosura ndaj Moskës nga Uashingtoni dhe nga aleatët e tij që kur forcat ruse nisën agresionin ndaj Ukrainës, më të madhin ndaj një vendi evropian që nga Lufta e Dytë Botërore.

Moska e quan sulmin një “operacion special”.

(Zëri i Amerikës)