Shefi i Pentagonit, Lloyd Austin, në Izrael, bisedon për Iranin

Tel Aviv, 12 prill 2021 – Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u takua të hënën në Izrael me zyrtarë izraelitë për të biseduar mbi Iranin.

Takimi vjen pasi një avarie elektrike në objektin bërthamor iranian të Natanz-it, që thuhet se u ka shkaktuar dëme të mëdha centrifugave iraniane për pasurimin e uraniumit. Zyrtarët iranianë ia hodhën fajin Izraelin dhe kërcënuan se do të hakmerren për sulmin.

Izraeli rrallë merr përgjegjësinë për sulme si ai në Natanz, që sipas njoftimeve izraelite të lajmeve, mund ta vonojnë programin bërthamor iranian me nëntë muaj. Por Shefi i Shtabit të ushtrisë Izraelite, Aviv Kochavi, la të kuptohet se Izraeli mund të ketë qenë i përfshirë në këtë ngjarje.

Zoti Kochavi tha se aktivitetet e ushtrisë izraelite në Lindjen e Mesme “nuk bëhen fshehurazi syve të armikut se mos na shikojnë, se mos shohin aftësitë tona”.

Sekretari Austin, zyrtari i parë i administratës së Presidentit Joe Biden që viziton Izraelin, nuk e përmendi drejtpërdrejt Iranin, por tha vetëm se ai dhe Ministri i Mbrojtjes i Izraelit Benny Gantz diskutuan për sfidat rajonale të sigurisë.

Shtëpia e Bardhë të hënën se nuk ishte e përfshirë në incident dhe refuzoi të komentojë rreth akuzave të Teheranit ndaj Izraelit për sabotimin e objektit Natanz.

Vizita e Sekretarit Austin vjen ndërsa SHBA po kërkon të rifillojë bisedimet me Teheranin rreth ringjalljes së marrëveshjes bërthamore për Iranin (JCPOA), pas tërheqjes prej saj të ish Presidentit Trump në vitin 2015.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është shprehur fuqimisht kundër marrëveshjes, duke thënë se ajo i krijon Iranit një rrugë legjitime për të prodhuar armën bërthamore.

Analisti i çështjeve të Iranit Eldad Shavit thotë se tensionet në rritje midis Izraelit dhe Iranit mund ta shtyjnë administratën Biden më afër një marrëveshjeje të re me Teheranin.

“Ka arsye për të besuar se administrata do të jetë tani akoma më shumë nën presion për të arritur një marrëveshje me iranianët, sepse qëllimi i tyre strategjik është të kthehen në marrëveshje pasi nuk kanë një politikë alternative për Iranin”, thotë analisti.

Javët e fundit, ka patur njoftime për disa sulme izraelite ndaj objektivave iraniane, përfshirë bazën e Rojave Revolucionare në një anije.

Sima Shein i Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare thotë se Irani do të përpiqet të hakmerret për këto dhe veçanërisht për sulmin në Natanz.

“Nëse më duhet të hartoj një listë se cilat janë mundësitë e Iranit për t’u hakmarrë, ata do të preferonin ta bënin atë në disa vende, në disa fusha nëse munden,” tha analisti. “Ata janë përpjekur në të kaluarën dhe jam i sigurt se do ta provojnë përsëri në fushën kibernetike, nëse kanë ndonjë aftësi dramatike për të depërtuar në infrastrukturën civile izraelite. Ata u përpoqën siç e dini në sistemet e ujit dhe të tjera dhe do të përpiqen për ta bërë këtë në të ardhmen,” tha ai.

Ministri i jashtëm i Iranit tha se objekti Natanz do të rindërtohet me centrifuga më të përparuara që mund ta pasurojnë uranium edhe më shpejt.

(Zëri i Amerikës)