Shefja e re e UNMIK-ut: Do ta mbështesim dialogun Kosovë-Serbi

Prishtinë, 19 janar 2022 – Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Caroline Ziadeh, ka arritur në Kosovë.

Në një deklaratë për medie, ajo ka thënë se misioni që edrejton ajo, UNMIK-u, do të mbështesë dialogun Kosovë Serbi.

 Ajo ka thënë se UNMIK-u, nën udhëheqjen e saj, do të vazhdojë mbështetjen e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për një të ardhme më të mirë.

“Pres me padurim të angazhohem me autoritetet e Kosovës dhe shoqërinë civile, si dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë në Kosovë dhe rajon.

Nën udhëheqjen time, UNMIK-u do të mbajë përkushtimin për të mbështetur institucionet dhe popullin e Kosovës në realizimin e një të ardhmeje më paqësore dhe prosperuese përmes promovimit të të drejtave të njeriut, ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve dhe fuqizimit të agjentëve të ndryshimeve pozitive, duke përfshirë gratë dhe të rinjtë.

UNMIK-u do të mbetet i palëkundur në mbështetje ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe paqes e pajtimit afatgjatë,” thuhet në deklaratën e Ziadeh.

Libanezja Caroline Ziadeh ka një përvojë gati 30 vjeçare në diplomaci. Ajo ka shërbyer në ambasadat e Libanit në Belgjikë dhe në Bashkimin Evropian (1994-1999), në Austri, Kroaci e Sllovaki dhe në Misionin e Përhershëm të Libanit në Vjenë (1999-2002), dhe në ambasadat e Libanit në Mbretërinë e Bashkuar (2004-2006). Ajo ka qenë Zëvendëse e Përfaqësuesit të Përhershëm të Libanit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork (2006-2017).

(r.m.)

Comment

*