Shehaj: Partia Demokratike nuk është më e përçarë

Uashington, 7 dhjetor 2022 – Deputeti i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, Agron Shehaj, i cili po merr pjesë në një forum të partive të djathta konservatore që po mbahet në SHBA, ka mohuar se Partia Demokratike është e përçarë.

Në një intervistë për zërin e Amerikës, ai ka thënë se tani ekziston “një fraksion gjithnjë e më i vogël” që “ka një mbështetje gjithnjë e më të vogël brenda PD-së”.

“PD-ja në fakt mund të quhej e përçarë kur filloi procesi, kur filloi përplasja brenda PD-së, ku kishim dy pjesë që pretendonin se e kishin shumicën. Por, pasi u bënë zgjedhjet brenda Partisë Demokratike, pasi votuan anëtarët e PD-së dhe sidomos pasi votuan edhe votuesit në zgjedhjet e parakohshme, u bë e qartë se kush e ka shumicën brenda Partisë Demokratike. Aktualisht që flasim në PD vazhdon të mbetët një fraksion gjithnjë e më i vogël dhe ka një mbështetje gjithnjë e më të vogël brenda PD-së. Po flasim për disa përqindje, kështu që nuk do ta quaja të përçarë Partinë Demokratike”, tha ai.

Megjithatë Shehaj pohoi se një pjesë e deputetëve të PD-së nuk i njohin vendimet e partisë, gjë që, sipas tij, përbën “uzurpim” të posteve që u takojnë përfaqësuesve të PD-së.

“… kemi një problem në lidhje me grupin parlamentar brenda Parlamentit të Shqipërisë, ku një pjesë e deputetëve të zgjedhur me votat e Partisë Demokratike, me votat e demokratëve, nuk i njohin vendimet e demokratëve dhe të anëtarësisë edhe vazhdojnë të kenë pretendime, në këndvështrimin tim, të uzurpojnë në njëfarë mënyre, postet që iu takojnë përfaqësuesve të PD-së në parlament, siç është kryetari i grupit parlamentar dhe kryetar i partisë më të madhe opozitare në parlament”, tha Shehaj.

Ai e vlerësoi lart procesin e primareve për zgjedhjen e kandidatëve të PD-së për kryetarë të bashkive në zgjedhjet e ardhshme lokale.

“(Partia Demokratike)… është partia e parë në Shqipëri në këto 30 vjet, që pyet anëtarësinë dhe sipmatizantët se kush do të jenë kandidatët. Nuk i vendos më kryetari apo vetëm forumet e larta të Partisë Demokratike. Sigurtisht, kjo është hera e parë që bëhet në Shqipëri, është hera e parë që e bënë Partia Demokratike. Sigurisht që ka patur edhe probleme, ka patur edhe kontestime, por unë mendoj që procesi në përgjithësi ka ecur shumë mirë”, tha ai.

Shehaj drejtoi kritika të ashpra në adresë të qeverisë aktuale të Shqipërisë. Ai ka drejtuar akuza të rënda, sidomos për konçesionet dhe kontratat e projekteve të Partneritetit Publiko-Privat.

Shehaj renditi një sërë skandalesh e aferash korruptive që i ngarkohen kryeministrit Edi Rama dhe vartësve të tij në qeveri dhe në institucionet tjera të shtetit.

(r.m.)